Kearnsi Vuçiqit: Mohimi vazhdimësi e vetë krimeve, ajo që fillon me dhunë dhe vrasje -vazhdon me falsifikim të historisë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj deklarimeve që ka bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë dhënë BBC-së, teksa është pyetur për ngjarjet e viteve ’90 dhe krimet e kryera nga regjimi i Serbisë atë kohë.

Vuçiqi, teksa ka pohuar se vetë ka ndryshuar, ka thënë se “s’pajtohet” për atë se kush ka qenë fajtor dhe përgjegjës për gjithë gjërat e këqija që kanë ndodhur.

“Nuk pajtohem se kush ishte fajtor dhe kush ishte përgjegjës”, është shprehur presidenti serb.

Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar ashpër deputetja britanike Kearns, duke thënë se mohimi është një sulm i qëllimshëm dhe i kalkuluar ndaj të mbijetuarve.

“Mohimi është një sulm i qëllimshëm dhe i llogaritur ndaj të mbijetuarve. Është një armë që kërkon të lëndojë njerëzit dhe institucionet që kanë dalë nga hiri i luftës”, ka shkruar Kearnsi.

“Mohimi është vazhdimësi e vetë krimeve – ajo që fillon me dhunë dhe vrasje vazhdon përmes falsifikimit të historisë”, ka përfunduar deputetja britanike.