Elleku nuk konfirmon pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, nuk ka dashur të konfirmojë për gazetarët nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, ndonëse dy ditë më parë në një prononcim për televizionin serb RTS kishte thënë se kjo parti është e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ne kemi bërë të gjitha veprimet që na kërkohen për sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, është përgjigjur Elleku në konstatimin e gazetarit se më parë në një prononcim për RTS-në ai ka thënë se Lista Serbe është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Por dje ai ka thënë se vendimi ende nuk është marrë zyrtarisht.
“Do të duhet të presim vendimin e organeve të Listës Serbe, të kryesisë së Kuvendit të Listës Serbe dhe do të njoftoheni me kohë”, u ka thënë Elleku gazetarëve në Graçanicë.