Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, raportohet për të lënduar

Sot në rrugën “Hilë Mosi” në kryeqytet ka ndodhur një përleshje mes disa personave ku dyshohet të jetë shkrepur dhe arma e zjarrit.

Sipas njoftimit të Policisë thuhet se numër i pacaktuar i të dyshuarve janë shoqëruar në stacion, ndërsa një armë është sekuestruar, deri sa të lënduarit janë trajtuar në QKUK, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Sekuestrohet një armë zjarri si dhe shoqërohen në stacionin policor disa persona të dyshuar të përfshirë në një rast të përleshjes dhe shkrepjes së armës së zjarrit

Sot rreth orës 17:00, është raportuar se në rrugën ” Hilë Mosi” në Prishtinë ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku dyshohet të jetë shkrepur dhe arma e zjarrit.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin, lokalizimin si dhe kapjen e menjëhershme të disa personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.

Të lënduarit nga përleshja janë dërguar në QKMF, për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ndërkohë që është identifikuar edhe një veturë e dyshuar e njëjta është ndaluar dhe kontrolluar nga policia, me ç ‘rast policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë arma nga e cila është shkrepur.

Aktualisht po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.