Sveçla: Prioritet kryesor, luftimi i pakompromis i krimit të organizuar

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt sot takimi i parë i grupit punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar.

Bëhet e ditur se ky takim u organizua si pjesë e punës së përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe intensifikimin e veprimeve kundër krimit të organizuar, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla në hapjen të takimit ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndër prioritetet kryesore luftimin pa kompromis të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zero tolerancë ndaj këtyre dukurive nuk është thjesht një politikë, por një qasje që synon angazhimin maksimal të çdo institucioni për të garantuar se askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të kësaj ministrie.

“Përkushtimi i institucioneve të sigurisë ka shënuar progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë edhe neutralizimin e grupeve të mëdha kriminale dhe terroriste në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar, ministri Sveçla derisa ka shprehur mbështetje për Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante për realizimin e qëllimit të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, u shqyrtuan çështje kyçe për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Në përfundim, pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për përmbushjen e objektivave të Strategjisë dhe rëndësinë e harmonizimit të saj me politikat kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për të siguruar një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse në luftën kundër krimit të organizuar, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet pos tjerash në njoftimin e MPB. /Zëri