BDI-ja i përgjigjet Taravarit: Deklarata skandaloze për kapjen e shtetit me konstruksione politike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të Arben Taravarit, i cili tha se zyrtarë të kësaj partie janë thirrur nga organet e hetuesisë dhe se së shpejti do të dihen emrat e tyre.

Nga BDI-ja thonë se deklarata të tilla janë dhënë edhe në të kaluarën nga anëtarë të tjerë të Qeverisë.

“Këto kërcënime me konstruksione dhe përndjekje politike, si dhe presione ndaj hetuesisë dhe prokurorisë nuk frikësojnë askënd, por shfaqin tendencën skandaloze dhe të papranueshme të ushtrimit të shtetit të kapur nga ana e qeverisë. BDI mbështet sundim joselektiv të ligjit dhe kërkon vetting të monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë bartësit e funksioneve politike”.

“Të gjithë eksponentët jolegjitimë shqiptarë në Qeveri, në vazhdimësi janë denoncuar për afera të mëdha korruptive nga ana e OBRM-PDUKM dhe kredibiliteti i tyre është zero në drejtim të qeverisjes së mirë, përkundrazi, duhet të bartin përgjegjësi për keqpërdorimet e tyre masive”.

“Të gjitha këto deklarata i lexon Brukseli dhe Washingtoni, sepse na largojnë nga shteti i së drejtës dhe vlerat evropiane, si dhe rikthejnë kohëra të tejkaluara të konstruksioneve me gjueti politike shtrigash”, thonë nga BDI-ja.