Fituesi i befasishëm i presidencialeve në Rumani

Ekspertët e cilësuan një kandidat të ekstremit të djathtë si njërin prej favoritëve në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë dhe e parashikuan në balotazh me një politikan të njohur.

Ekspertët kishin dhe nuk kishin të drejtë. Është fakt që një kandidat i ekstremit të djathtë do të shkojë në balotazhin e 8 dhjetorit, por jo ai që ata dhe sondazhet parashikuan.

Calin Georgescu - 62 vjeç, inxhinier i bujqësisë dhe një i pavarur që mezi u regjistrua në zgjedhje - jo vetëm që doli më mirë seç pritej, por e fitoi rundin e parë të 24 nëntorit me rreth 22 për qind të votave.

Beteja për vendin e dytë, ndërkaq, u shndërrua në një dramë më vete.

Kryeministri i majtë, Marcel Ciolacu, nga Partia Social-Demokrate (PSD), ishte në garë të ngushtë me Elena Lasconin, një liberale properëndimore nga Unioni “Shpëtojeni Rumaninë”.

Me 99.9 për qind të votave të numëruara, ishte Lasconi, mbështetëse e zjarrtë e anëtarësisë së Rumanisë në NATO dhe BE, si dhe mbështetëse e zëshme e Ukrainës, e cila doli në vendin e dytë.

Zhgënjimi me kryeministrin e deritashëm

Për president të Rumanisë garuan 13 kandidatë.

Presidenti i këtij vendi ka mandat pesëvjeçar dhe ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse në fusha si: siguria kombëtare, politika e jashtme dhe emërimet në drejtësi.

Rumania do t’i mbajë edhe zgjedhjet parlamentare më 1 dhjetor, kur do të përcaktohen qeveria dhe kryeministri i ardhshëm i vendit.

Presidenti në largim i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, e përfundon mandatin e dytë pas një dekade në detyrë.

Për shumë votues, ai dhe Partia e tij Nacional-Liberale në pushtet kanë qenë një zhgënjim.

Iohannis u kritikua shumë për mungesën e tij figurative gjatë ngjarjeve të rëndësishme si pandemia e koronavirusit.

Shqetësimet e votuesve përfshinin edhe korrupsionin, inflacionin dhe gjendjen e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit.

Një çështje tjetër është edhe konflikti në Ukrainën fqinje dhe mënyra sesi ai konflikt mund të ndryshojë me administratën e re në SHBA.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e mbështeti vazhdimisht Kievin, por presidenti i zgjedhur, Donald Trump, la të kuptohet se kjo mbështetje mund të kufizohet.

Rumania u bë një aleate e rëndësishme e Ukrainës, jo vetëm duke i ofruar trajnime dhe pajisje ushtarake, përfshirë edhe një sistem të mbrojtjes raketore - Patriot, por edhe duke luajtur rol kyç në transportin e grurit dhe mallrave të tjera bujqësore ukrainase në tregjet globale.

Pjesa më e madhe e meritave për qëndrimin proukrainas të Bukureshtit i takon presidentit aktual, Iohannis.

Fitorja e befasishme

Por, ishte fitorja e befasishme e Georgescut ajo që rrëmbeu titujt kryesorë të lajmeve.

Përpara zgjedhjeve, ekspertët u fokusuan në një figurë tjetër të ekstremit të djathtë.

Sondazhet e opinionit tregonin se George Simion, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve (AUR) të ekstremit të djathtë, do të dilte në vendin e dytë apo edhe në të parin.

Analistët kishin pritur që Simion, një mbështetës i zëshëm i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Trump, të përballej me kryeministrin Ciolacu në rundin e dytë.

Simion bëri fushatë për ribashkim me Moldavinë, e cila këtë vit ia rinovoi ndalesën pesëvjeçare për të hyrë në këtë vend, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Për arsyet e njëjta, ai nuk lejohet të hyjë as në Ukrainën fqinje.

Georgescu ishte, gjithashtu, anëtar i shquar i AUR-it, që e kishte atë si zgjedhje të vetën për kryeministër. Por, ai u largua nga partia në vitin 2022 pas kritikave nga drejtuesit e lartë të AUR-it se qëndrimi i tij prorus dhe anti-NATO është i dëmshëm për imazhin e partisë.

Në një intervistë të vitit 2021, ai e cilësoi mburojën raketore balistike të NATO-s në Deveselu, në jug të Rumanisë, si “turp të diplomacisë”, duke pretenduar se aleanca ushtarake nuk do ta mbrojë asnjë anëtar të saj në rast të ndonjë sulmi rus.

Ai, gjithashtu, tha se Ion Antonescu, udhëheqës de facto i Rumanisë në Luftën e Dytë Botërore, i cili u dënua me vdekje për rolin e tij në Holokaustin e Rumanisë, dhe Corneliu Zelea Codreanu, udhëheqës i Gardës së Hekurt të para Luftës së Dytë Botërore - një prej lëvizjeve më të dhunshme antisemitike në Evropë - ishin heronj kombëtarë.

Georgescu ka doktoraturë në pedologji dhe mbajti poste të ndryshme në Ministrinë e Mjedisit të Rumanisë në vitet 1990.

Ndërmjet viteve 1999 dhe 2012, ai ishte përfaqësues për Rumaninë në komitetin kombëtar të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Fushata në TikTok

Llogaria e Georgescut në TikTok ka 1.6 milion pëlqime.

Në të, ai ka të postuara video duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo, duke vrapuar dhe duke folur në podkaste.

Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve, ai nisi një fushatë në TikTok, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund ndihmës për Ukrainën.

Ai, gjithashtu, foli me skepticizëm për anëtarësinë e Rumanisë në NATO.

Mesazhet e tij antiperëndimore zënë vazhdimisht vend në mediat ruse, të drejtuara nga shteti, ose në mediat sociale që janë miqësore ndaj Kremlinit.

Pasi hodhi votën e tij, Georgescu shkroi në Facebook se ai votoi “për të padrejtët, për të poshtëruarit, për ata që mendojnë se nuk kanë rëndësi dhe në fakt kanë më shumë rëndësi... Vota është një lutje për kombin”.

Qëndrimet e tjera të tij përfshijnë mbështetjen e fermerëve rumunë, reduktimin e varësisë nga importet dhe rritjen e prodhimit të energjisë dhe ushqimit.

Simion tha se e uroi Georgescun dhe se është “shumë i lumtur që rreth 40 për qind e votave të rumunëve shkuan drejt opsionit sovran”.

Balotazhi i 8 dhjetorit do të ofrojë një zgjedhje të vështirë mes Georgescut dhe Lasconit. /Rel