Dëshmitari Çadraku flet për katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së

Dëshmitari Halil Çadraku gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të hënën ka folur për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë katër të akuzuarit, e po ashtu për Sokol Bashotën.

Për Jakup Krasniqin, dëshmitari tha se ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe një gjë të tillë e kishte kuptuar përmes medieve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas njohurive të mia, nga qershori i vitit 1998, Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Unë mendoj që ka qenë një publikim në media, ose përmes gazetës ose televizor që Jakup Kraniqi është përzgjedhur si zëdhënës i UÇK-së. Data e saktë nuk më kujtohet e as mënyra e saktë nuk më kujtohet”, tha Çadraku.

Ai tha se Sokol Bashotën nuk e kishte njohur gjatë luftës dhe se pas saj e kishte kuptuar që ai ishte pjesë përbërëse e Shtabit të Përgjithshëm.

“Unë, Sokol Bashotën nuk e kam njohur gjatë luftës. Atë që kam dëgjuar pas luftës ka qenë se ai ka qenë një pjesë përbërëse e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, këtë po e them jo nga njohuritë e mia gjatë luftës me shokët e mi, por e kam mësuar pas luftës”, tha Çadraku.

Gjithashtu, dëshmitari u pyet se a e dinte se çfarë nofke kishte Sokol Bashota gjatë kohës së luftës.

“Tani jam në dijeni që ai më duket e ka pasur nofkën njëmbëdhjetëshi (11)”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari theksoi se gjatë kalimeve në Shqipëri ka mundur që të takojë Thaçin, por që nuk e ka njohur në atë kohë e as funksionin e tij brenda UÇK-së.

“Mund ta kem takuar Thaçin pa e ditur dhe pa e njohur se kush është dhe çfarë është brenda UÇK-së”, shtoi ai.

Ai gjithashtu shpjegoi mënyrën se si e kishte takuar Thaçin, duke treguar se në këtë udhëtim të përbashkët ky i fundit e kishte lënduar këmbën.

“Po, mendoj që ju kam takuar një insert të një udhëtimi që ka qenë data 30 maji i vitit 1998, datë kjo kur kjo në Kosovë nga Shqipëria kanë hyrë shtatë eprorët profesionistë të ish-armatës Jugosllave. Më kujtohet që në atë udhëtim, njëri nga bashkëluftëtarët ka pas nevojë për ndihmë se e vrau këmbën dhe e kemi ndihmuar duke ia marrë ato armatime nga krahu dhe më vonë, nuk e di kur, e kam kuptuar që ka qenë Hashim Thaçi. Në atë udhëtim, iu kam treguar se ka qenë edhe Adem Grabovci. Atë e njihja edhe nga viti ’90-të. Kanë qenë më duket edhe Kadri Veseli edhe këta, por që është ai person Hashim Thaçi, e kam mësuar më vonë”, tha Çadraku.

Dëshmitari gjithashtu kishte thënë që “dhjetëshi” për të cilin kishte mësuar më vonë që ishte Rexhep Selimi, i kishte thënë atij që të shkonte në Rahovec që të takohej me Mensur Zymberin që njihej si 500-shi.

Ai shtoi se nuk e dinte nëse Mensur Zyberi e njihte Thaçin në atë kohë, pasi asnjërin nga këta të dy nuk i njihte.

Megjithatë, dëshmitari tha se flitej që këta dy persona janë njohur pasi që kanë qenë së bashku në studime.

“Mendoj se është e njëjta gjë si me Hashim Thaçin, si me Kadri Veselin në raport me Mensur Zymberin. Mendoj se kanë qenë në një gjeneratë dhe organizimi ka shkuar në bazë të besueshmërive dhe kjo të lë të kuptoj që ata i kanë besuar Mensurit në bazë të njohurive që kishin”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se Rexhep Selimin e kishte takuar edhe në dy raste, duke hyrë nga Shqipëria.

“Mua më duket se e kam takuar Rexhep Selimin në nja dy raste duke hyrë nga Shqipëria. Unë iu kam thënë se Kosovë-Shqipëri kam udhëtuar mbi 35-6 herë në orientimin e grupeve për armatosje dhe njëherë e mbaj mend që ishte qershori apo korriku dhe jemi nisur nga Shqipëria, përkatësisht nga Dobruna me një grup jo shumë të madh por në atë grup e mbaj mend që ka qenë Rexhep Selimi edhe Xheladin Gashi-Plaku, i cili gjatë rrugëtimit është lodhur dhe pati nevojë për ndalim. Po, e mbaj mend që jemi takuar edhe gjatë rrugëtimeve Shqipëri-Kosovë, një apo dy apo më shumë raste”, tha Çadraku.

ZPS-ja për dëshmitarin Çardaku: Do të flas për takimet me Thaçin dhe Veselin, vijat e raportimit dhe për çështje që lidhen me ZKZ-në

Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace gjatë leximit të përmbledhjes për dëshmitarin, ai tha se Çadraku do të flas për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin e po ashtu do të flas për vijat e raportimit dhe çështjet që lidhen me sektorin e Zbuim-Kundëzbulimit.

James Pace tha se edhe vetë dëshmitari ishte pjesë e G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i vitit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 03873 është shqiptar i Kosovës që ka qenë anëtarë i LPK-së. Është kyçur në UÇK rreth marsit 1998. Gjatë kohës në UÇK, dëshmitari 03873 ka pasur pozita të ndryshme në vende të ndryshme dhe ka qenë kreu i G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i 99-ës. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për LPK-në, krijimin e UÇK-së, rolin dhe përgjegjësitë që ka pas ai në UÇK duke përfshirë faktin që ka siguruar armatime dhe ka marrë pjesë në luftimet e UÇK-së. Dëshmitari 03873 jep po ashtu dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimit të UÇK-së, rolin dhe autoritetin që kanë pas anëtarët e UÇK-së në mes të cilëve edhe anëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut me anëtarët e shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha Pace.

Pace gjithashtu tha se Çadraku ka shoqëruar Thaçin, Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejtë Shqipërisë.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në 98-ën dhe 99-ën kur dëshmitari 03873 ka shoqëruar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejt Shqipërisë. Në 99-ën dëshmitari 03873 është takuar me Kadri Veselin në Nishor dhe prill të 99-ës, Kadri Veseli i ka kërkuar këtij dëshmitari që të vizitonte të gjitha pikat mbrojtëse rreth Shtabit të UÇK-së gjatë luftimeve në Kleçkë”, tha ai.

Ai tha se dëshmitari do të jep dëshmi edhe për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijenin që ka ai për dokumentet e UÇK-së.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për njohuritë që ka sa i takon mënyrës së raportimit, vijave të raportimit mes brigadave, Zonave Operative dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sa i takon çështjeve që lidhen me Zbulimin dhe Kundërzbulimin. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijeninë që ka ai për dokumentet e UÇK-së, përfshirë këtu edhe disa dokumente që ai i ka përpiluar vetë”, tha ai.

Për Bardhyl Mahmutin, dëshmitari tha se e njeh pasi kanë qëndruar bashkë në Zvicër e po ashtu e njeh edhe si anëtar të LPK-së përveç si shok.

Ndonëse ishte lëvizje, dëshmitari tha se LPK-ja u shndërrua më vonë në parti e që brenda anëtarësisë kishte edhe kundërshtime.

Sipas tij, partia e parë që u formua ishte Partia e Bashkimit Demokratik të Kosovës (PBDK) për të cilën tha se nuk ia din emrin me siguri për shkak se vetëm tre muj ka zgjatë.

Ai tha se kur u krijua PBDK-ja, kryetar i saj ishte Bardhyl Mahmuti. Çadraku shtoi se PBDK-ja më vonë e mori emërtimin PDK.

“Subjekti PBDK, pas një kohë e mori emërtimin PDK. Edhe me vjen keq ndoshta sepse unë në atë kohë kam qenë strukturë e unifomuar, jam marrë më pak me politikë. Mirëpo, këto janë ato që kam pa si njeri. Nuk kam qenë pjesë direkte e formimit të partive politike, por normalisht që na ka interesu fati ynë dhe po flas unë për njohuritë e mia, ato që unë i di për këtë subjekt dhe këto ndodhi”, tha ai.

Për Xhavit Halitin dëshmitari tha se e njeh tërë Kosova por edhe në kohën e luftës thotë se e ka njohur për shkak të veprimtarisë së përbashkët në Zvicër.

Edhe për Ali Ahmetin, dëshmitari tha se është njëri nga njerëzit më të spikatur dhe punëtor që kanë ndihmuar shumë edhe në LPK-ën por edhe në formimin e grupeve çlirimtare që kanë rezoltu me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.