Detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në parlamentin e Serbisë

Në parlamentin e Serbisë ka pasur një konfrontim fizik mes deputetëve, pasi ata të opozitës fillimisht kanë ngritur pankarta pas miratimit të rendit të ditës, e më pas kanë tentuar fizikisht të pengojnë fillimin e diskutimit kur kanë ardhur anëtarët e qeverisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse të Aleksandar Vuçiqit qëndruan në një lloj muri të gjallë rreth podiumit.

Dhe deputetët e opozitës u bërtitën atyre “vrasës-vrasës”, duke iu referuar katastrofës në Novi Sad, ku 15 persona vdiqën në rënien e kulmit në stacionin e rindërtuar, gjë që çoi në një sërë protestash në Serbi.

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka thirrur sigurimin për të hyrë në sallë, e cila ka tentuar të qetësojë deputetët.

Siç raportohet më tej, një incident ndodhi gjithashtu edhe në galerinë e sallës së kuvendit, ku siguria e parlamentit ndërhyri po ashtu.