Kreu i SPAK-ut: Një numër i madh prokurorësh e gjyqtarësh në ndjekje penale

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë një konference të përbashkët me shoqërinë civile mbi arritjet, sfidat e procesit të vettingut dhe luftën kundër korrupsionit, tha se një numër i madh subjektesh, gjyqtarë e prokurorë, janë marrë në ndjekje penale nga SPAK-u.

“Sot që flasim SPAK-u ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë, Prokurorë të përgjithshëm, prokurorë të Shkallës së Parë, oficerë të policisë gjyqësore. Kemi një numër të madh subjektesh për të cilët kemi ushtruar ndjekjen penale për korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë. Do ta bëjmë sa herë të kemi indicie apo të dhëna”, tha Dumani.

Dumani theksoi se shqetësim nuk janë më prokurorët e gjyqtarët e shkarkuar, por ato që janë aktualisht në sistem.

“Shqetësimi më i madh nuk janë subjekte e shkarkuara, por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të shtrojën profesionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kudo që janë. Aktualisht janë në sistem dhe ka premisë që mund të kryejnë akte korruptive”, tha Dumani.

Kreu i SPAK, bëri me dije se ka aplikuar ligjin antimafia për subjekte të shkarkuara nga detyra, ndërsa theksoi se shpesh herë materialet në procesin administrativ të vettingut janë përdorur si indicie për të gjetur provat në hetimin penal. Me mbylljen e procesit të vettingut, Dumani bëri të ditur se në fund të muajit dhjetor drejtuesi i SPAK-ut do të marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik.

“Në fund të muajit dhjetor drejtues i SPAK merr kompetencat e Komisionerit Publik në KPA. SPAK ka patur raste kur ka aplikuar ligjin anti-mafia për subjektet e shkarkuar nga detyra (përfshi gjyqtarë e prokurore). Materialet në procesin administrativ të vettingut i kemi përdorur si indicie për të gjetur provat në hetimin penal. Rezultatet e hetimit administrativ janë një bazë e mirë për të gjetur prova tek subjektet e shkarkuar nga vettingu.

Ne nuk kemi qenë të verbër nga organet e vettingut, kemi regjistruar me iniciativë hetime kryesisht për veprën penale të korrupsionit. Janë çështje që i kemi në hetim dhe jemi të kujdesshëm duke bërë filtrime të vendimeve të vettingut”, tha Dumani.

Drejtuesi i SPAK-ut, Dumani, shprehu gatishmërinë e institucionit për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, si një mënyrë edhe për përmirësimin e performancës së hetimeve të SPAK-ut.

“SPAK-u bashkëpunon me shoqërinë civile dhe kam deklaruar se shoqëria civile është e ftuar të bashkëpunojë dhe të kërkojnë informacion nga SPAK-u për tematika të caktuara. Jemi të vetëdijshëm si tematikat të caktuara analizohen nga shoqëria civile mund të shërbejnë për SPAK në përmirësimin e performancës për këtë tematikë që është analizuar. Shpresoj që në të ardhmen të forcohet edhe më shumë ky bashkëpunim”, tha Dumani.