Hoti thotë se presidentja do të duhej t’ia kthente Kuvendit Ligjin për buxhetin: Janë bërë dy shkelje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin e buxhetit për 2025 me dy shkelje ligjore, siç tha ai, pa i adresuar nevojat kryesore dhe pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore.

Ai mes të tjerash theksoi se “sikur të funksiononte si duhet rendi kushtetues, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë”.

“Shkeljet ligjore lidhen me Nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me Nenin 35, me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse”, ka shkruar Hoti.

“Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët etj.”.

“ Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët. Përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar. Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve. Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore”, ka shkruar ai. /Zëri