Shala: Projekti “Superpuna” i dyshimtë, miliona euro janë shpenzuar në mënyrë të paqartë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se projekti i Ministrisë së Financave “Superpuna” është shembull flagrant i shkeljes ligjore dhe keqpërdorimit financiar, duke shtuar se duhet të hetohet e auditohet menjëherë.

Sipas tij, ky projekt u krijua dhe u zbatua në mënyrë të dyshimtë, duke anashkaluar bazën ligjore dhe kriteret që rregullojnë funksionimin e Zyrave të Punësimit në Kosovë.

“Përmes një sekretariati të emëruar politikisht, u shmangën institucionet e rregullta dhe u injoruan plotësisht procedurat ligjore”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se ky projekt po tentohet tanimë t’u kalohet zyrave lokale të punësimit.

“Çështja është se pse nuk u përfshinë Zyrat e Punës që në fillim?

Kush e ka udhëhequr këtë projekt dhe si?

A ka pasur ndonjë mekanizëm llogaridhënës dhe a është audituar projekti?

Sa miliona euro janë shpenzuar deri më tani?

Pse është ndërruar vendimi i parë për themelimin e Sekretariatit të ‘Superpunës’?

A është dashur që Agjencia e Punësimit të Kosovës, përmes Zyrave të Punësimit, të monitorojë zbatimin e skemës?

A duhet Agjencia e Punësimit dhe ZP-të ta pranojnë këtë projekt të dyshimtë tash në fund të mandatit dhe projektit?”, pyeti Shala.