Murati e akuzoi për “luftim të Kurtit”, Prokuroria Speciale i kërkon të mos e pengojë në punë
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj ministrit të Financave Hekuran Murati, i cili e ka akuzuar Prokurorinë Speciale se po ia bën argatin opozitës.
Në reagimin e tyre të përbashkët kërkohet që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve.
“Më këtë rast, KPK-ja dhe ZKPSH-ja kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore. Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte”, thuhet në njoftim.
Tutje në reagim është thënë se ka tendenca të partive politike, përfshirë përfaqësuesit e Qeverisë, për ta minuar kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale.
“Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara. KPK-ja dhe ZKPSH-ja mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë”, thuhet tutje në reagim.
Murati të dielën ka thënë se Prokuroria Speciale s’po interesohet ta luftojë korrupsionin, por po interesohet “ta luftojë Albin Kurtin”.
Në një postim në Facebook ai ka thënë se opozita po shpif e po bën propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. /Zëri