Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj: Rrisni sigurinë e punëtorëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes së një punëtori i cili u lëndua rëndë derisa po punonte në një ndërtesë.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u ka bërë thirrje ndërmarrësve kosovar që të rrisin nivelin e sigurisë fizike të punëtorëve, ndërsa institucioneve të rrisin përgjegjësitë e tyre dhe nivelin e implementimit të ligjit.

"Lajmi për vdekjen tragjike të të riut nga Prizreni na ka tronditur të gjithëve. Një jetë e humbur në mënyrë kaq të parakohshme dhe fatkeqe është një ngjarje e dhimbshme për të gjithë ne.Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen e të ndjerit".

"Lus ndërmarrësit kosovarë që të rrisin nivelin e sigurisë fizike të punëtorëve kurse për organet kompetente institucionale ky rast është edhe një alarm se ata duhet të rrisin përgjegjësitë e tyre dhe të rrisin nivelin e implementimit të ligjit", ka shkruar kryetari i AAK-së.