Osmani dhe Ruge flasin për rrugën e Kosovës përpara drejt të ardhmës euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se diskutimi u fokusua në rrugën përpara të Kosovës, veçanërisht në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe të ardhmes euroatlantike të vendit.

Ndërkohë, Ruge, në një deklaratë të mëparshme në tetor, kishte theksuar se Kosova ende nuk është në rrugë drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe.

 

“Nuk mendoj se aktualisht jemi në një situatë kur mund të flasim për anëtarësim. Por e di që presidentja Osmani dhe të tjerët kanë folur për Partneritetin për Paqe, dhe ajo natyrisht do të ishte hapi i parë. Siç e dini, kjo kërkon konsensus; të 32 shtetet anëtare të NATO-s duhet të votojnë për këtë, dhe nuk jemi ende aty”.

“Nuk po lëvizim drejt Partneritetit për Paqe tani për tani. Por fakti që perceptimi i popullit të Kosovës për NATO-n është kaq pozitiv është diçka që duhet ta vlerësojmë dhe është një hap i madh drejt së ardhmes,” deklaroi Ruge.

Ai theksoi gjithashtu se NATO mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur shpresën se ky proces do të vazhdojë.