Richard Lukaj: Pjesëmarrja e Diasporës është ende shumë e vogël në Kosovë

Bizneset individuale nuk janë shumë progresive, ato duhet të angazhohen në grupe. Kështu vlerëson afaristi i suksesshëm në Amerikë, bankieri dhe filantropi shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Lukaj flet edhe rreth investimeve në Kosovë dhe në Shqipëri, për çka thotë se pjesëmarrja e mërgatës shqiptare është ende shumë e vogël.

Ndërsa ai thekson nevojën për arritjen e një tregu shqiptar që do të jetë konkurrent në rajon. Poashtu, ai thotë se duhet të punohet për një sistem të arsimit të lartë shqiptar.

Si ekspertë i fushës, Richard Lukaj, thekson se investitorët kanë nevojë për shkallë të lartë të besueshmërisë dhe për profesionistë të cilët do të jenë partnerë të inicimit të projekteve.

Z. Lukaj, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju, si një shqiptar për të arritur këtë karrierë në një vend tjetër. Shumë shqiptarë dhe jo vetëm, tashmë ju kanë model për punën që keni bërë?

Richard Lukaj: Modelet janë interesante…unë jam njeri si shumë të tjerë. Kemi pasur orientime klasike shqiptare. Jemi punëtorë, nga një familje punëtore, me tradita të vjetra, të kombinuara me praktika të reja. Një punë e imponuar dhe nëse e lidhim me fatin, them se janë krijuar hapësira që të jem këtu ku jemi sot. Por, nuk mund të them se është një gjë ekskluzive, sepse ne këtë gjeneratë janë shumë shqiptaro-amerikanë që po tregojnë sukses dhe besoj se gjeneratat e ardhshme do të kenë shumë njerëz që kanë me qenë të suksesshëm.

Po, por nuk ka qenë e lehtë të ngriheni në majat e Wall Street, apo jo?

Richard Lukaj: Kjo është e vërtetë. Nuk është një vend i lehtë, është shumë konkurrues, një konkurrim në nivel botëror. Ka qenë një rrugë me shumë vështirësi. Megjithatë, nga ana humane, unë besoj se do të ketë shumë shembuj të tjerë. Unë besoj se shqiptarët, sidomos në Amerikë, kanë filluar të integrohen shumë mirë, ka një numër të madh prej tyre që kanë orientim shumë pozitiv, me rikthimin nga Besa. Sidomos kjo industria ime, është një industri që mbi të gjitha e vlerëson besueshmërinë dhe shqiptaria në klasikë është shumë e besueshme.

Kjo është shumë e rëndësishme. A mund të na tregoni, çka e dallon Bank Street Group nga bankat tjera amerikane, çfarë ka qenë qasja juaj, vizioni juaj që të ngritni atë standard, e me qenë konkurrent në treg?

Richard Lukaj: Kemi nisur me eksperiencën tonë profesionale me disa firma të mëdha. Kolegët e mi kanë qenë ndër ata që kanë zhvilluar dhe kanë ruajtur aftësitë e ndryshme të atyre firmave në zonat ku ne konkurojmë dhe ideja ishte që të mblidhnim kokat që të mund të përballojmë këtë. Në fillim ishte një ide pak ambicioze dhe kishim frikë se do të jetë rrugë e rrezikshme. Por, vit pas viti, kishim rritje dhe vit pas viti hapnim rrugë të reja për sukses dhe pas disa vjetësh, më shumë se 20 vjet, sepse nuk arrihet sukses për kohë të shkurtër, kemi arritur, sidomos në këto zona ku ne konkurrojmë, që të jemi ndër firma kryesore që firmat e ndryshme kërkojnë për këshillim.

Përkushtimi juaj për çështje të arsimit, për shëndetësi ka qenë i dukshëm edhe në vende tona. Çfarë niveli të arsimit keni arritur ju që të keni këtë sukses?

Richard Lukaj: Unë mund të them se arsimi është çelësi kryesor i suksesit tonë familjar. Jo vetëm unë, por edhe motra dhe vëllai im, janë arsimuar dhe janë një pjesë e ëndrrës amerikane edhe për atë arsye ne i japim prioritet interesit tonë finalntropik, arritjen e arsimit, sidomos në komunitetit tonë. Në kuadër të kësaj ne kemi qenë shumë aktivë në themelimin dhe zhvillimit të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK). Jemi në proces që të bëjmë diçka të ngjashme edhe në Shqipëri, me mendimin që me kohë të arrijmë diçka që është rajonale për interesit e zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar. Sa i përket Filantropisë në përgjithësi, ne e kemi pasur si një lloj porosie nga familja se ne jemi shumë me fat për këto arritje dhe si familje kemi formuar një Fondacion për të ndihmuar disa aktivitete, e disa institucione që ne kemi dëshirë të krijojmë dhe të japim si iniciativë hapat e para që të rrisin ndërkohë kapacitetet. Kështu kemi marrë pjesë në AUK, në AMC në Kosovë, disa lloje aktivitete të organizatave që ende i mbështesim. Ende mendojmë për nisma të reja që brenda kësaj jete të shkurtër që kemi, shpresoj të ketë një efekt pozitiv në përgjegjësinë tonë shqiptare.

Të krijosh një organ filantropik, është si të krijosh një biznes

Nga ai investim që ju keni bërë në këtë fushë në Kosovë, a keni marrë një përgjigje, a keni mund ta përcillni, sepse ndonjëherë edhe mund të ketë regres?

Richard Lukaj: Personalisht kam marrë pjesë në Borde të ndryshme, në organizata të ndryshme, siç e përmende, asnjë sukses nuk arrihet me një linjë të drejtë, por hap pas hapi. Kemi pasur ndonjëherë një hap përpara e dy mbrapa dhe në fund unë besoj se kur është një mision brenda atij lloj aktiviteti, aty nevojitet i njëjti fokus edhe intensitet. Ashtu si ne i bëjmë punët e përditshme, edhe në punën e filantropisë këto janë veprime që kërkojnë të njëjtin seriozitet. Të krijosh një organ filantropik, është si të krijosh një biznes. Aty duhet një kryesi e duhur, duhen profesionistë të duhur, duhen punëtorë të duhur. Kërkohet lidhje me institucione të ndryshme, që të kesh sukses. Jemi me fat që edhe me mënyrën e filantropisë, megjithëse ka pasur pengesa shumë, mund të them se jam i kënaqur që jemi pjesë e kësaj veprimtarie dhe jemi krenarë me njerëzit që kemi pasur si partnerë në këto aktivitete dhe mendoj se do të vazhdojmë kështu.

Ju keni dhënë ndihmesë edhe në krijimin e lidershpit shqiptar në Kosovë, në veçanti. A mund t’i përmendi dy tri nisma tuaja, të cilat ju mund t’i kujtoni më shpesh kur ju keni investuar në atë lidership?

Richard Lukaj: Çdo nisje kërkon një nivel të besimit, që njerëzit rrezikojnë kohën dhe resusrest e tyre. Nëse kam afruar diçka të vlefshme, unë besoj që kam afruar këto gjëra që pa to njerëzit nuk besoj që do të mund të inkuadrohen, sepse iu duken si ëndërr, ose si ide e padefinuar. Unë çdo herë filloj me idenë se çdo gjë është e realizueshme, vetëm është në pyetje, a i kemi njerëzit e duhur, a e kemi dedikimin e duhur, resorset e duhura, apo a kemi ide se si me i arritur ato. Pastaj forma e komunikimit dhe eksperienca e bashkëpunimi, jep shumë rezultat. Nganjëherë njeriu mund të ketë edhe surpriza. Për shembull, kur e kemi themeluar AUK ne kemi menduar se do të ketë pjesëmarrje gjigante, me mijra studenta… Pas një kohe të shkurtër e kemi kuptuar që Kosova brenda sistemit arsimor që ekziston ende sot, nuk prodhon ata student, me mijëra, që janë me kapacitet të studiojnë në nivelin botëror. Këtu është një opsion i ri për freskim të partneritetit me institucionet e shtetit, sepse ne të gjithë e dëshirojmë që ndër ata 30 mijë nxënës që dalin nga shkollat e mesme çdo vit, të rritet kapaciteti i tyre. AUK, pak a shumë, ka qenë si ide që të mbajë ata studentë të mirë, brenda rajonit që të japin kontributin e tyre aty edhe faktikisht që të marrin pjesë në lidershpin e ardhshëm të rajonit, megjithëse numrat janë të vegjël, rezultati është i veçantë, studentë të AUK deri tani janë të punësuar, është shumë një numër i vogël që është i papunësuar, edhe shumica e tyre janë në institucionet kryesore private dhe publike në rajon. Pjesa tjetër që ka vazhduar me arsimin janë në universitetet më të mira në botë. Ende shpresoj se do të ketë rritje të këtij numri. Ka shumë familje në Amerikë që dhurojnë fonde për bursa për student, që nuk kanë kapacitet financiar. Unë i kisha sugjeruar secilin që të aplikojë dhe të kërkojë këto lloj bursa. Është një numër i konsiderueshëm i studentëve në AUK që mbështetën nga këto lloj donacionesh. Kështu ka qenë edhe për mua. Unë kur shkova në fakultet nuk kam pasur mundësi të financoj arsimin tim për këtë arsye, në anglisht thuhet “Pay for it”, e kjo është forma që më ka përcjellë.

Fondacioni Lukaj është zgjeruar, çfarë prioritete tjera keni përveç arsimit?

Richard Lukaj: Për çdo vit kemi disa lloje projektesh edhe praktikisht kemi një diskutim të brendshëm për prioritetet vjetore. Disa aktivitete vazhdojnë nga viti i kaluar, siç është AUK, kurse disa organizata tjera janë me buxhetin tonë, derisa i shohim që janë duke ecur në rrugë të duhur dhe çdo vit kemi edhe projekte të reja, nisma të reja. Kemi edhe një ide tjetër që të krijojmë diçka që multiplikon veprimin tonë, do të thotë kudo që investojmë, p.sh., në organizatën “Germin” në Kosovë kemi dhënë donacion, por donacioni ynë multiplikohet nga të tjerët. Kjo formë e rritë inkuadrimin filantropik në komunitet dhe rritë një traditë.

Çka mund të investohet nga mërgimtarët tanë, ose edhe nga të tjerët, çfarë mundësish ofrojnë vendet tona?

Richard Lukaj: Eh kjo mund të jetë temë e gjerë. Nuk mungojnë nisma për të investuar dhe për të bashkëpunuar për një sukses në rajon. Në një vizitë që isha një herë me ish presidentin Clinton, i cili po mbante një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës, ai tha një gjë që e prek këtë temë. “Nuk mungon interesimi e as dëshira nga diaspora për t’u riinkuadruar në rajon. Mungon ambienti që t’i mirëpresë ata”. Këtu në Nju Jork mund të takosh shumë shqiptarë, kudo që lëviz. Ata po punojnë, po bashkëpunojnë, po investojnë, po ndërtojnë dhe çka do që mund të bëjnë këtu në Nju Jork, mund të bëjnë edhe atje (në Kosovë dhe në Shqipëri). Sot mungon niveli i ambientit për të investuar. Një pjesë është çështje institucionale, pastaj nuk ka mjaft profesionistë që ofrojnë gjëra konkrete për të investuar. Pastaj janë informalitetet që pengojnë progresin, sepse njerëzit nuk ndjehen të sigurt dhe në duar të besueshme dhe këto çështje na mbajnë larg neve për të investuar. Ai që ka ide për të investuar duhet të jetë vetë i besueshëm dhe të afroj rreth tij profesionistë të besueshëm. Ata njerëz që ankohen për ministra, kryeministra, presidentë të ndryshëm, ata nuk e kuptojnë çka është biznesi. Biznesi është një gjë lokale, njëra dorë për dorën tjetër. Ata që bashkëpunojnë me njëri tjetrin e kanë për detyrë të punojnë bashkërisht, që të rrëzojnë të gjitha barrierat e ndryshme. Unë besoj se pjesa lokale në Kosovë, në Shqipëri, apo kudo në rajon, e ka për detyrë të afrojë investitorët, të largojë çdo dilemë tek investitorët dhe kështu investitori ofron pastaj.

A keni pasur ju ide dhe ndoshta për shkak të këtyre problemeve mund të jeni tërhequr?

Richard Lukaj: Kemi pasur shumë dëshirë dhe kemi bërë shumë përpjekje që nuk kanë rezultuar pozitivisht. Megjithatë nuk dëshpërohemi. Nëse afrohet diçka e re, si ide e freskët, fillojmë përsëri prej të parës. Jemi ende aktivë dhe nuk lodhemi prej këtyre orientimeve.

Bizneset e suksesshme shqiptare mund të ndihmojnë përgatitjen e gjeneratave të reja për të krijuar lidership të vendeve, që ata të mund të drejtojnë vetë pastaj. A shihni ju optimizëm, sa ka potencial që të krijohet një lidership i mirë edhe në fushën e biznesit?

Richard Lukaj: Mendoj se ne kemi problem pak edhe me terminologjinë, do të sugjeroja që të hiqet fjala biznesmen, sepse në biznes ka edhe gra. Ne si popull jemi pak dhe nëse e heqim gjysmën e popullatës prej lojës, që janë gratë, atëherë mbesim edhe më pak. Por, edhe vullneti për sukses vjen nga forma e inkuadrimit të të gjithëve. Për shumë kohë besoj se biznesi klasik në Ballkan, jo vetëm për shqiptarët, është si me të marrësh një vendim, ta bësh ekskluziv për vetën dhe ta shfrytëzosh në interesin e një grupi të vogël. Kurse unë shoh disa fryma të reja në rajon ku njerëzit janë duke krijuar kompani të ndryshme, kompani shërbimi për shembull. Kjo është një formë tjetër e biznesit dhe kjo ka një përgjithësi tjetër, ka një kualitet tjetër dhe e mirëpres si një frymë e re që vjen nga rajoni. Pjesëmarrja e diasporës është ende shumë e vogël, megjithëse dëshira ekziston. Por, kur mendon se sa vështirë ka qenë të përfshihet diaspora vetëm për të votuar në Shqipëri, e jo për gjëra të tjera, kur mendon se si blihen e shitën shumë asete në rajon, ende shihet se mungon transparenca, mungon profesionalizmi deri diku. Një pjesë e pengesës së arritjes institucionale, sidomos në Kosovës tash për tash, është besueshmëria në mes lojtarëve në lojë është në nivelin shumë të ulët. Mënyra se si janë bërë transferet e institucioneve nuk ka lënë një besueshmëri të madhe. Unë mbaj shpresë që do të përmirësohet, sepse gjeneratat vazhdojnë e shohin që nuk ka sukses një formë, mendojnë diçka tjetër. Brenda kësaj, nëse ka sukses nga organet ose kompanitë e ndryshme që janë formuar nga njerëz me mentalitet të ri, që duan të paguajnë tatime, të kenë përgjegjësi, me biznese që janë inkuadruese, jo vetëm ekskluzive, atëherë unë besoj se këtu ka me pas dallime shumë. Këto zhvillime freskojnë edhe politikën, freskojnë popullatën në përgjithësi.

Si mund të zgjerohet bashkëpunimi ndërmejt bizneseve shqiptare?

Richard Lukaj: Bashkimi i interesave shqiptare unë besoj se mund të bëhet defakto. Nuk na ndalë askush që kompanitë tona të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, të kemi bashkëpunim ndërministror e ndër qeveritar, të kemi tregun e përbashkët, të japin falas me njëri tjetrin, askush nuk mund të na ndalë. Pak a shumë të jetë defakto një shtet shqiptar. Ne jemi me fat që kemi shqiptarë në gjithë rajonin dhe ne mund t’i bëjmë faktorë edhe ata, në orientimin tregtar apo edhe institucional. Nëse i forcojmë ata që na përfaqësojnë në këto vende që të fuqizojnë kompanitë tona, zyrat kryesore shtetërore, politike, etj. Kjo donë një vizion dhe nuk besoj se mungon ky vizion në aspektin e diasporës. Besoj se kjo është pjesë e ëndrrës së të gjithë neve. Presim që t’i japë prioritet populli së pari, se nëse populli nuk i jep prioritet, atëherë ata që përfaqësojnë popullin janë edhe më larg.