Gjendet trupi i pajetë i rabinit izraelit të zhdukur në Emiratet e Bashkuara Arabe

Është gjetur trupi i pajetë një rabini izraelito-moldav, i cili u zhduk në Abu Dhabi, ka njoftuar Izraeli.

Zvi Kogan, përfaqësuesi i Chabad në Emiratet e Bashkuara Arabe, u zhduk të enjten.

Një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Kogan u vra, duke e quajtur atë një “incident të tmerrshëm terrorist antisemitik”.

“Shteti i Izraelit do të veprojë me të gjitha mjetet për të kërkuar drejtësi nga kriminelët përgjegjës për vdekjen e tij”, tha zyra.

Të shtunën, agjencia izraelite e inteligjencës Mossad tha se po hetonte zhdukjen, shkruan SkyNews.

Ndërkohë, qeveria e Emirateve nuk dha asnjë informatë se Kogan ishte gjetur i vdekur.

Ministria e saj e brendshme e ka përshkruar rabinin si “të zhdukur dhe pa kontakt”.

Bëhet e ditur se rabini jetonte në Emiratet e Bashkuara Arabe me gruan e tij Rivky, e cila është një shtetase amerikane.

Lëvizja Chabad Lubavitch, një degë e judaizmit ortodoks, tha se Kogan ishte parë për herë të fundit në Dubai.

Ndryshe, zhdukja e tij vjen pasi Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit pasi të dy vendet shkëmbyen zjarr në tetor.

Ndërsa deklarata izraelite nuk përmendi Iranin, shërbimet e inteligjencës iraniane kanë kryer rrëmbime të mëparshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani drejton operacione të inteligjencës. /Telegrafi