Arsenali merr një fitore komode në shtëpi ndaj Nottingham Forest

Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 3-0 në shtëpi ndaj Nottingham Forest në kuadër të javës së 12-të në Ligën Premier.

‘Topçinjtë’ menduan se kishin kaluar në avantazh në minutën e pestë të takimit kur Jurrien Timber gjeti rrjetën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Të besuarit e Mikel Artetës shënuan golin e parë në minutën e 15-të përmes Bukayo Sakas i cili realizoi një gol të bukur për rezultatin 1-0.

Ishte pikërisht Saka ai i cili iu afrua sërish golit në minutën e 42-të, por portieri mysafir Matz Sels bëri një pritje spektakolare për t’ia mohuar atë.

Vendasit e gjetën golin e qetësisë në pjesën e dytë, kjo falë një super goli të realizuar nga Thomas Partey (52’) nga distanca për rezultatin 2-0.

Pas inkuadrimit në fushë në pjesën e dytë, golin e gjeti edhe adoleshenti Ethan Nwaneri (86’) i cili shënoi për rezultatin 3-0.

Deri në fund të takimit nuk pati më ndonjë rast për t’u veçuar dhe kështu Arsenali u kthye tek fitoret në Ligën Premier pas katër ndeshjeve.

Pas javës së 12-të Arsenal shkon në kuotën e 22 pikëve dhe mban pozitën e katërt në tabelë me gjashtë pikë më pak se lideri Liverpool që ka 28 sosh dhe ka një ndeshje më pak të luajtur.