Pse lojtarët e Serisë A do të vendosin një vijë të kuqe në faqet e tyre?
Të gjithë lojtarët e Serisë A do të vendosin një vijë të kuqe në faqet e tyre gjatë raundit të 13-të të ndeshjeve këtë fundjavë për të rritur ndërgjegjësimin për fushatën e ligës Un Rosso alla Violenza (“Një e kuqe ndaj dhunës”) .
Ky është viti i tetë që Serie A mbështet fushatën, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin rreth abuzimit fizik dhe psikologjik ndaj grave në Itali.
Lega Serie A ka publikuar disa statistika tronditëse për të treguar pse kjo fushatë është ende e nevojshme, shkruan Football-italia.com.
Në një deklaratë, liga theksoi se 98 gra u vranë në Itali gjatë vitit 2024, dhe nga këto 98 jetë të humbura, 86% ishin shkaktuar nga një i dashur apo anëtar i familjes.
Është vlerësuar se 31.5% e grave kanë pësuar një formë të abuzimit fizik ose seksual gjatë jetës së tyre dhe se mbi 28% e tyre refuzojnë të flasin për përvojat e tyre.
“Futbolli nuk është vetëm një sport, ai është gjithashtu një fenomen i fuqishëm shoqëror i cili mund të arrijë miliona tifozë. Për këtë arsye, ne duhet të përdorim të gjitha forcat e saj për të rritur ndërgjegjësimin dhe përhapjen e vlerave themelore si respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe mosdiskriminimi”, tha presidenti i Lega Serie A, Lorenzo Casini në një deklaratë .