Hapet ekspozita “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë”
Ekspozita “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë” është hapur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në bashkëpunim mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Lexuesit dhe studiuesit kosovarë mund të shohin në këtë ekspozitë dorëshkrimet e veprave dhe më të hershme të shkrimtarit Kadare.
Bislim Bislimi, drejtor ekzekutiv i AShAK-së tha se kjo ekspozitë është shumë kuptimplote për të përkujtuar kolosin e madh të letrave shqipe.
“Jam falënderues ndaj Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë, dhe Ardit Bido dhe bashkëpunëtoreve të ti,j që si zakonisht u angazhuan përmbledhje sa më të gjerë të shkrimeve dhe formave të tjera dhe materialeve arkivore të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare dhe që kaq shpejt u kujdesën, që fillimisht jo vetëm të konceptohet e kurohet një ekspozitë si kjo sot, por aktivitetin e parë për Kadarenë tonë ta sjellin fillimisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Prishtinë sot”, ka thënë Bislimi.
Ai tha se sot është rasti për të thënë se Ismail Kadare ka lënë pas një areal të pasur të vlerave kombëtare, identitare, kulturore dhe artistike.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Gaxha-Rugova tha se kjo ekspozitë jep një perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, një perspektivë të dorëshkrimit, që sipas saj është pothuajse në zhdukje.
“Shohim këtu veprën, dorëshkrimin e veprës së parë ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, roman i cili ka shënuar faktikisht fillimin e prozës moderne në letërsinë shqipe apo veprën frymëzimi djaloshar e cila bashkë me dy veprat e tjera poetike të autorëve të tjerë ka sjellë një frymë kryesisht të re në poezinë shqipe”, tha ajo.
Drejtori i përgjithshëm i arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido tha se në arkivat e Shqipërisë ka më shumë dokumentacion për Kosovën para vitit 1945, sesa që disponon Kosova në arkivin e saj.
Dhe po ashtu, ai tha se Arkivi i Shqipërisë ka dokumentacion më shumë edhe se Shkupi për shqiptarët para periudhës së viteve 45-të dhe ashtu edhe se Mali i Zi.
Ai tha se familja Kadare ka dhuruar dorëshkrimet e Kadaresë në Drejtorinë e Arkivave të Shqipërisë.
“Një ndër dhuratat më të mira që mund t’i bëhej drejtorisë së përgjithshme të arkivave në këtë 75-vjetor ndodhi në fund të muajit gusht, kur një telefonatë e zakonshme nga një kolege shumë e mirë, studiuese dhe mike personale e Ismail Kadaresë, Aida Bërdyli më dha sihariqin që familja e vet që dëshiron të dhurojë, në drejtorinë e përgjithshme të arkivave, të gjitha dorëshkrimet e shkrimtarit tonë të madh. Dhe kjo bujari në pamje të parë e Gresa Kadaresë, e Besiana dhe Helena Kadares ishte dhurata më e mirë në këtë 75 vjetor të Drejtorisë së përgjithshme të arkivave. Dhe ky është një amanet i pashprehur drejtë për drejt nga Kadare që ‘dorëshkrimet e mia dua të shkojnë në arkiv’, por e thënë në të gjallë në mënyrë të vazhdueshme që si shkrimtarë shqiptar i pastër, pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës së tij viteve të fundit e ka kaluar në Francë nuk do të donte që dorëshkrimet të përfundonin në institute shumë serioze franceze apo amerikane që ishin afruar dhe madje kishin ofruar që të paguanin shuma monetare të konsiderueshme në mënyrë që të ruanin pas vdekjes së tij dorëshkrimet e tij”, tha Dido.
Ai theksoi se Kadare dëshirë që të ruhen në vendin e tij për të cilin ai shkroi.
Dido bëri të ditur se sasia e dokumentacionit në dorëshkrime përfshinë 44 mijë faqe dorëshkrime.
Në këto dorëshkrime, ia tha se përvijohet gjithë procesi mendor i shkrimtari tonë të madh.