Rexhbeçaj për “DPA”: Me largimin nga fusha në Rumani, dërguam sinjal se s’do të tolerojmë më sjellje të tilla

Përfaqësuesi i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, që luan për ekipin gjerman FC Augsburg, ka folur për braktisjen e lojës së Kosovës ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Për agjencinë gjermane në lajmeve dpa, ai thotë se ky ka qenë një vendim i rëndësishëm.

Fakti se Kosova e humbi ndeshjen në mënyrë retroaktive, 27-vjeçari thotë se “kjo për ne s’ka rëndësi”.

“Vetëm deshëm të dërgojmë një sinjal se kur diçka e tillë ndodhë, pavarësisht se në cilin stadium, duhet të ndërmerrni diçka kundër kësaj”, deklaroi mesfushori kosovar, transmeton Klankosova.tv.

Kosova lëshoi fushën në minutat shtesë të ndeshjes javën e kaluar në Bukuresht derisa rezultati ishte 0-0. dpa raporton se ekipi u ndje i provokuar nga thirrjet e tifozëve rumunë që kanë thirrur “Serbia”.

“Njerëz të tillë nuk kanë vend më as në stadium e as në jetën private në përgjithësi. Diçka e tillë nuk ka vend askund”, tha mesfushori i klubit të Bundesligas.

Incidente të ngjashme veçse kanë ndodhur edhe në të kaluarën në Rumani, shtatorin e vitit 2023, kur ekipi i Kosovës po ashtu u largua për në dhomat e zhveshjes, por u kthye. Rexhbeçaj thotë se “ishte gabim kthimi në fushë”.

“Këtë vit i thamë vetes, nëse diçka ndodhë, do të largohemi nga fusha, dhe këtë e bëmë. Pastaj nuk ka më kuptim të luash më kur vijnë thirrje të tilla. Një sinjal i qartë u dërgua se gjërat s’mund të shkojnë më kështu”, deklaroi për dpa Elvis Rexhbeçaj. /Klankosova