McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën

Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID.

“Angazhimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës, kanë vazhduar dhe jam e bindur se do të vazhdojnë”, thotë ajo në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

McKee, e cila po viziton Kosovën me rastin e 25-vjetorit të punës së USAID-it në Prishtinë, thekson se prioritetet e USAID-it në të ardhmen do të fokusohen në ofrimin e ndihmës për Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike, në tranzicionin drejt një energjie më të gjelbër dhe të rinovueshme dhe në konsumimin e mundësive ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Meqë po festoni 25-vjetorin e punës së USAID-it në Kosovë, cilat mendoni se janë disa nga arritjet më domethënëse që keni parë gjatë kësaj kohe?

Erin McKee: Më duhet të them së pari se periudha kohore 25-vjeçare në Kosovë duket njëkohësisht edhe e gjatë, edhe e shkurtër.

Kur erdhëm këtu për herë të parë, kuptohet se angazhimi ynë kishte të bënte me tejkalimin e pasojave dhe rindërtimin, dhe nëse shikojmë nga këndvështrimi aktual, gjatë këtyre dy vjetëve që unë e ushtroj këtë detyrë dhe tri vizitave që tashmë kam bërë në Kosovë, përparimi ka qenë mahnitës.

Përtej tejkalimit të pasojave dhe rindërtimit, është punuar në ndërtimin e një të ardhmeje të jashtëzakonshme, ndërtimin e institucioneve demokratike, krijimin e vendeve të punës, gjithnjë me shikim drejt një të ardhmeje euroatlantike, duke parë shpresën dhe mundësitë në fytyrën e secilit kosovar dhe duke u siguruar që partneriteti ynë të mbetet i fortë.

Ky evolucion, ky transformim ka qenë i jashtëzakonshëm.

Intervisten e plotë mund ta ndiqni KETU.