Grenell mund të jetë i dërguari special i Trumpit për luftën në Ukrainë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e emërimit të Richard Grenellit, ish-shefit të tij të inteligjencës, si të dërguar special për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ky zhvillim është raportuar nga agjencia e lajmeve reuters duke cituar burime të brendshme.

Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, mund të luajë një rol kyç në përpjekjet për ndalimin e luftës, nëse emërohet zyrtarisht në këtë detyrë.

Aktualisht, nuk ka një të dërguar special për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, por republikani po konsideron krijimin e këtij posti, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Gjatë fushatës së tij, 78-vjeçari është zotuar se do t’i japë fund luftës “shpejt”, ndonëse nuk ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si do të arrijë këtë qëllim.

Pikëpamjet kontroverse të Grenellit

Disa nga idetë dhe qëndrimet e Grenellit mund të ngjallin shqetësim në Kiev. Në një tryezë diskutimi në korrik, Grenelli sugjeroi krijimin e “zonave autonome” si një zgjidhje të mundshme për konfliktin. Po ashtu, ai ka deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO në një të ardhme të afërt nuk është një opsion realist, një qëndrim që reflekton opinionet e shumë aleatëve të Trumpit.

Megjithatë, mbështetësit e Grenellit theksojnë përvojën e tij të gjerë diplomatike dhe njohuritë për çështjet evropiane. Përveç shërbimit si ambasador, Grenell ka qenë edhe i dërguar special për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, duke luajtur një rol kyç në procesin e dialogut.

Nga zyra e Trumpit nuk ka pasur ende një reagim zyrtar për këtë çështje, ndërsa as vetë Grenell nuk ka dhënë ndonjë koment publik.

Karriera dhe pritshmëritë

Grenell ka qenë një mbështetës i fortë i Trumpit dhe ka luajtur një rol aktiv në fushatën e tij zgjedhore. Fillimisht, ai shihej si një kandidat i fortë për postin e Sekretarit të Shtetit, por në fund, Trumpi zgjodhi senatorin Marco Rubio për këtë rol – një vendim që ka befasuar disa nga aleatët e Grenellit.

Nëse emërohet si i dërguar special për luftën në Ukrainë, Grenell do të përballet me sfida të mëdha në ndërmjetësimin e një paqeje në një konflikt që ka shkaktuar pasoja të rënda për Ukrainën dhe botën.