Policia e Kosovës demanton rreptë Serbinë: S’kemi hyrë në territorin serb

Policia e Kosovës, demantoi rreptë një pretendim të  Ministrisë e Mbrojtjes së Serbisë.

Ky dikaster qeveritar në Beograd, publikoi komunikatë fort të pazakontë të enjten, ku thotë se dënon ashpër atë që e quan kalim të paautorizuar të kufirit nga pjesëtarët e policisë kosovare, që sipas ministrisë serbe, që i referohet kufirit si vijë administrative , ndodhi te vendi Cirkoviq komuna e Leposaviqit, brezi kufitar mes dy shteteve.

Madje Ministria serbe, kërkoi siç thuhet nga KFOR-i, si e vetmja force ushtarake ligjore e legjitime në Kosovë, të marrë masa në përputhje me mandatin që e kanë e të parandalojnë siç thotë Beogradi, përshkallëzim.

Policia kosovare, thotë se krejt  këto pretendime janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë dhe se njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformim cili sipas forcave të rendit ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone e ta njollos punën e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq,vetëm sa shtoi pretendimet për rastin që autoritet kosovare thonë se nuk ndodhi fare.

Ai tha se nuk pret asnjë reagim përpos prej amerikanëve, të cilët thotë ai, se e dinë që kryeministri i Kosovës,Albin Kurti “ urdhëroi” këtë me qëllim dhe se ai pra Kurti, sipas Vuçiqit,  ka pritur që këta persona siç i quan të likuidohen dhe që ky të jetë arsye për futjen në konflikt të NATO-s me Serbinë,  duke shtuar se herën tjetër “ ata do reagojnë në pajtim me rregullat e plota të shërbimit”,tha Vuçiq, për televizionin publik serb më 21 nëntor.

Në qershor të 2023-ës, autoritetet serbe rrëmbyen tre policë të Kosovës brenda territorit të shtetit kosovarë, përderisa Beogradi, pretendoi se ata u arrestuan pasi që  kishin kaluar vijën kufitare duke hyrë në territorin serb.

Tre zyrtarët policor ishin liruara pas një presioni të madh ndërkombëtar që ishte ushtruar mbi shtetin serb. Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë, ndajnë një vijë kufitare që është e gjatë afër 360 kilometra.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Kohë pas kohe këto dyja bëjnë edhe patrullime të përbashkëta.