“Kosova A” qe tri javë po ruhet nga policia, shkak incidenti ku u përdorën edhe armë zjarri

Termocentrali “Kosova A” ka mbi tri javë që po ruhet nga Policia e Kosovës. Prania e personelit policor atje lidhet me një incident që ka ndodhur në tetor, ku ka pasur edhe të shtëna me armë.

Në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në termocentralin “Kosova A” kishte ndodhur një incident, ku ishin përdorur edhe armë zjarri. Tre persona, ende të panjohur, kishin sulmuar fizikisht një prej rojeve, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Rasti ishte raportuar nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, mirëpo pa u treguar se kishte ndodhur në KEK.

Në raport vetëm bëhej e ditur se viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, si dhe se në vendngjarje ishte gjetur një gëzhojë.

“Përdorim i armës /lëndim trupor – Obiliq 31.10.2024 – 01:10. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se tre të dyshuar të panjohur kanë shtënë me armë zjarri dhe e kanë sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhej në raport.

Nga ajo ditë, termocentrali “Kosova A” po ruhet edhe nga Policia e Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Zyra e Informimit e Policisë kanë thënë se ngritja e masave të sigurisë me personel policorë janë bërë bazuar në vlerësimin e përbashkët me Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Policia e Kosovës, respektivisht Stacioni Policor Obiliq, bazuar në mandatin e saj për ushtrim të autorizimeve policore dhe me qëllim të ngritjes së sigurisë, nga datë 31.10.2024 ka ngritur masat e sigurisë me personel policor, gjithnjë duke u bazuar në vlerësimin e përbashkët të sigurisë në mes të KEK-ut dhe Policisë dhe rastit të fundit të ndodhur në TCA ku një punonjës i rojeve fizike ishte sulmuar nga persona të panjohur në vendin e tij të punës”, thuhet në përgjigje.

Pjesëtarët e Policisë do të vazhdojnë ende të sigurojnë këtë objekt, ndonëse nuk dihet se deri kur.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj të ofroj siguri me qëllim të krijimit të kushteve dhe ambientit të sigurtë në hapësirën e përgjithshme të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe asetet përcjellëse të saj”, thuhet tutje në përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për të marrë një qëndrim, mirëpo ata të gjitha pyetjet lidhur me këtë rast i kanë referuar te Policia e Kosovës.

“Sa i përket kësaj çështje, ju lutem qe te drejtoheni tek institucionet përkatëse, pra tek Policia e Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësi Skënder Bucolli.

Ndryshe, ky termocentral kishte qenë cak i hajdutëve në vitin 2022. Në maj të atij viti, ishte kryer një grabitje e armatosur, ku dy persona kishin vjedhë kabllo elektrike.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se tek kabina ku ai bënë roje kanë ardhur dy persona me kapela në kokë dhe të armatosur, të njëjtit nën kërcënimin e armëve e kanë mbajtur ankuesin për 20 minuta duke e kanosur dhe fyer. Pasi të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes kanë vërejtur se mungon një pjesë e kabllos elektrike vlera dhe sasia ende nuk dihet. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, kishte njoftuar Policia atëherë.

Një vjedhje tjetër kishte ndodhur në vitin 2021, ku i dyshuari ishte arrestuar në flagrancë.

“Arrestohet në flagrancë një i dyshuar për vjedhje të rëndë Prishtinë, 19 korrik 2021 – Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht ata të stacionit policor të Obiliqit, dje kanë arrestuar në flagrancë një person lidhur me vjedhjen e pajisjeve të metalta në depon kryesore të ‘Kosova Thëngjillit’, në termocentralin ‘Kosova A’. I dyshuari; • L. H. 31 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, pas arrestimit me aktvendim mbi ndalim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastin vjedhje të rëndë”, kishin konfirmuar nga Policia.