Gratë greviste s’pranojnë takim me Komisionin, Balje: Do t’i ftojmë në raportim pronarin e kompanisë dhe sekretarin

Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit. Fillimisht tha se janë në pritje të raportit nga Inspektorati i Punës, nëse greva ka qenë në rregull.

“Ne e kemi pas 275 euro e kemi kërkuar 400 ose 550 euro dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Marre për juve, ne kemi besuar në ligj dhe ende besojmë, por që nuk na nevojitet askush por raporti i Inspektoratit të Punës që ne kemi qenë gjithçka në rregull me ligjin dhe ju jeni ata që na keni larguar nga holli i Kuvendit dhe ju jeni ata që e keni thyer Ligjin e grevës”, u shpreh Azemi.

Ai deklaroi se janë kategorikisht kundër që të dialogojnë me deputetët nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Por kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, tha se do të ftojnë në takim përfaqësuesin e kompanisë, avokatin e Popullit dhe sekretarin e Kuvendit.

“Ne kemi me thirr në takim Avokatin e Popullit e duhet me konstatu se a është shkelje e të drejtave dhe mandej ne vazhdojmë. Kështu është procedura dhe puna e Komisionit. unë mund të marrë përgjegjësi veç si Komision dhe nëse jeni duke refuzuar këtë takim, atëherë në rregull jemi”.

“Ne si komision kemi menduar që të bisedojmë fillimisht me gratë, me i marr të gjitha informatat për ata dhe pastaj me i ftua sekretarin (e Kuvendit) edhe pronarin e firmës dhe me vazhdua. Ne si deputetë nuk kemi asnjë përgjegjësi, kemi parë që janë jashtë dhe kemi menduar që sekretari dhe personi përgjegjës kanë menduar që do të gjejnë zgjidhje”, u shpreh Balje. /EO