Dy të lënduarit nga plagosja e mbrëmshme në Prishtinë po trajtohen në QKUK, nën masën e ndalimit

Dy personat e lënduar mbrëmë nga të shtënat me armë në Prishtinë janë duke u trajtuar në QKUK, të njëjtët janë edhe të dyshuar për rastin.

Prokuroria ua ka caktuar 48 orë dy të dyshuarve dhe janë duke u siguruar nga zyrtarët policorë në QKUK, transmeton Zeri.info.

Policia ka dhënë detaje për rastin, përmes raportit 24-orësh.

Raporti i plotë i Policisë:

Prishtinë, 21.11.2024 - 15:57. Raportohet se për motive të panjohura i dyshuari mashkull kosovar, me armë zjarri, ka plagosur dy meshkuj kosovarë dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar disa gëzhoja dhe një veturë me targa vendore, po ashtu në një lokacion tjetër është gjetur dhe është sekuestruar edhe një veturë me targa vendore, e cila ishte e goditur nga predhat. Me urdhër të prokurorit, është bastisur shtëpia e një personi, me ç’rast është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri revole CZ. Të lënduarit janë duke u trajtuar në QKUK dhe të njëjtët më pas janë cilësuar si të dyshuar, për të cilët prokurori ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë dhe janë duke u siguruar nga zyrtarët policorë.