Pas urdhër arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Në një video adresim, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi si një “ditë të zezë” vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhër-arreste kundër tij dhe ish-ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant.
Netanyahu e quajti këtë vendim një shkelje të të drejtës natyrore të demokracisë për t’u mbrojtur nga “terrorizmi vdekjeprurës” dhe e përshkroi si një masë “antisemite” që për synim kishte pengimin e tij për vetëmbrojtje kundër armiqve që synojnë të shkatërrojnë Izraelin.
Ai mohoi akuzat se Izraeli po shkakton uri në Rripin e Gazës, duke theksuar se qindra ton ushqim kanë hyrë në rajon, por se ndihmat po vidhen nga Hamasi.
Nga ana tjetër, OKB-ja deklaroi se në 40 ditët e fundit nuk ka hyrë asnjë ndihmë humanitare në veri të Gazës, ndërsa raportet mediatike pretendojnë se Izraeli nuk ndërmerr hapa për të ndaluar bandat që veprojnë në territoret e kontrolluara prej tij dhe vjedhin ndihmat.
Netanyahu theksoi se Izraeli nuk e njeh dhe nuk do ta njohë këtë vendimin e gjykatës, duke falënderuar gjithashtu miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e tyre. Ai paralajmëroi se ky vendim do të ketë pasoja serioze për gjykatën dhe për ata që bashkëpunojnë me të.
Megjithatë, disa vende perëndimore kanë bërë të ditur se planifikojnë të veprojnë në përputhje me këtë vendim.
Netanyahu gjithashtu shprehu mirënjohje për politikanët izraelitë nga të gjitha spektrat politike që kanë kundërshtuar këtë vendim.
Ai deklaroi se “asnjë vendim anti-izraelit nuk do të na ndalojë, as nuk do të më ndalojë mua, që të mbroj vendin tonë me çdo mjet. Nuk do t’i nënshtrohemi presioneve”.
Bëhet e ditur se ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për luftën në Gaza dhe sulmet e tetorit 2023 që shkaktuan ofensivën e Izraelit në territoret palestineze.
Një panel i mëparshëm i Gjykatës së Hagës ka konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme që Netanyahu dhe Gallant, duke vepruar si bashkëpunëtorë, janë përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar. /Telegrafi
The antisemitic decision of the international court in The Hague is a modern Dreyfus trial, and it will end the same way. pic.twitter.com/e1l8PMghrB
— Benjamin Netanyahu - ë ë (@netanyahu) November 21, 2024