Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Ish-koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi gjatë Qeverisë Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se rasti i plagosjes së dy personave në Prishtinë ka ndodhur në rrugën para shtëpisë së tij në Prishtinë.

Arifi ka thënë se në momentin e shkëmbimit të zjarrit për fat të mirë nuk ishte askush para derës së shtëpisë së tij, pasi plumbat përfunduan qëlluan në derë.

“Shkëmbimi me armë zjarri dhe plagosja e dy personave sot pasdite ndodhi para shtëpisë time. Pashë nga dritarja pjesën e fundit të ‘luftës’ së këtyre njerëzve të panjohur sikur në një film aksioni ku fluturonin plumbat në konfrontim pak metërsh në mes tyre”, ka shkruar Arifi, duke postuar foton e një dere në të cilën ka përfunduar një plumb.

“Kësaj here viktima përveq protagonistëve që vet u lënduan me shumë fat nuk kishte njerëz të tjerë kalimtarë por siguria publike çdo ditë e më shumë po cenohet në Prishtinë dhe sigurisht se mekanizmat e sigurisë duhet t’a rrisin kujdesin. Fat që askush nuk ishte afër derës time të shtëpisë”, ka shkruar Arifi.

Ndryshe, dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pasditen e sotme në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Mon Balaj’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Borovci.