Abdixhiku në Obiliq: Zgjedhjet e 9 shkurtit s’janë për të përcaktuar një kryeministër, por vetë fatin e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet e 9 Shkurtit nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër të ardhshëm të Kosovës, por për të përcaktuar vetë fatin e Kosovës.

Duke folur para qindra anëtarëve e përkrahësve të LDK-së në “Turneun e Ndryshimit” në Obiliq, Abdixhiku ka shprehu besimin se më 9 shkurt 2025 do të ndodhë rikthimi i LDK-së.

“Këto zgjedhje nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ato, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar vetë Kosovën. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në lumin e madh të rrjedhave botërore, apo si një vend i zymtë, i propagandës, i përçarjes, i mbylljes e i sanksioneve, si një vend i zbrazjes së dhimbshme – i thyerjes së madhe përtej së cilës mbesim edhe pak, edhe vetë, edhe keq. Këtë zgjedhje unë e kam të qartë. Ketë zgjedhje ju duhet ta keni të qartë. Për katër vite të plota, njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar se si premtimet e mëdha kthehen në fjalë të thata. Se si ato humbasin peshën para humbjes së vetë shpresës. Dhe me peshë e me shpresë, humbet dhe ëndrra për vendet e punës, për pagat e larta, për shkollat e denja, për spitalet e shëndosha, për drejtësinë e mbarë – për vetë jetën në Kosovë”, tha ai.

Abdixhiku tha se këto ditë po takon qytetarë e po dëgjon hallet e tyre.

“Këtë të vërtetë e kam gjetur mes njerëzve tanë. Në udhëtimin tim politik nëpër Kosovë, kam pasur privilegjin të dëgjoj rrahjet e zemrës së popullit tonë, të kuptoj betejat që i mbajnë zgjuar natën dhe shpresat që i ndriçojnë ditët e tyre. Unë kam parë shpirtin e palëkundur të njerëzve tanë, dhe i mbajë me vete gjithë historitë e tyre. Kam takuar një nënë të re, me emrin Drita, nënë e tre fëmijëve, të tre në shollë, që punon me dy punë, duke gërshetuar pa u lodhur e pa shumë fjalë djersën dhe ëndrrat e saja; por që mezi ia del mbanë. Qëndrueshmëria e saj, forca e saj, e një nënë që shkrihet për fëmijë, është një dëshmi e shpirtit të popullit tonë, por lufta e saj për mbijetesë është një thirrje për veprim për të gjithë ne. Kam takuar një mësuese me emrin Linda, teksa nxiste shkëndijën e kuriozitetit tek fëmijët tanë, duke formësuar kështu mendjet që do të përcaktojnë vet të ardhmen tonë. Ajo e bënë këtë punë fisnike në një klasë të ngarkuar, pa kushte në to, gjersa në mendje ka fundin e muajit dhe një pagë që nuk i rritet dot”, u shpreh Abdixhiku.

“Kam folur me mjekë e infermierë, si Dr. Blerimi, të cilët kalojnë orë të pafundme në përballje mes jetëve të dorëzuara në dhomat e stërmbushura të spitaleve të stërvjetruara; gjersa hallet e familjeve aty, mu në korridor pranë, për barnat që nuk i kanë dhe s’mund t’i kenë u qëndrojnë si thyerje njerëzore para dëshpërimit profesional”, u shpreh Abdixhiku, teksa vazhdoi rrëfimin e tij para simpatizantëve të LDK-së.

“Kam takuar Tomorrin, ushtarin e Kosovës, që në krenarinë më të madhe patriotike bartë uniformën e mbrojtësit të Republikës, siç kishte bartur babai i rënë i tij, tashmë hero. Tomorri udhëton çdo ditë nga Istogu për në Gjilan, dhe kthehet pas, nga ora 6 deri në ora 6. Paga e tij nuk i lejon të ketë një banesë për familjen që ka ëndërruar ta ketë gjithherë. Kam takuar dhe Arbrin, një student i shkëlqyeshëm, punëtor shembullor, që në çdo mëngjes më rikujton për vendimin e marrë që të ikë nga Kosova. Aty, në atë moment, të humbet secili triumf. Aty në atë moment, të lindë nevoja urgjente për veprim. Kam takuar dhe Agimin, një bujk që mbanë një familje të tërë me tokën e punuar. Agimi nuk ka miq, mbesa e nipa në Ministri për t’i marrë grante nga 100 mijë. Ai ka besim në duart e veta, në shtëpinë e vet dhe në vullnetin e Zotit për tokë të begatshme e me bereqet”, u shpreh i pari i LDK-së.