Shqipëria pjesë e sistemit unik evropian të pagesave, Rama: Hap i madh në rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria sot është bërë pjesë e sistemit unik evropian të pagesave.

Përmes një shkrimi në “X”, Rama u shpreh se tani të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Evropa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare, siç tha ai, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025

“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik evropian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Evropa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025”.

“Miliona e miliona EURO të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE”, ka shkruar tutje Rama.