Ibrahimi: Buxheti për vitin 2025 injoron kostot e kontratave kolektive

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kritikuar deputetët për miratimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2025, duke theksuar se kërkesat e komunave për një vijë buxhetore që do të mbulonte kostot e zbatimit të kontratave kolektive janë refuzuar.

Ibrahimi tha se edhe pse janë zhvilluar takime me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, shqetësimet e komunave janë injoruar.

“Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror edhe ata duhet me dit se sa mjete financiar që iu merren komunave duke u bazuar në nënshkrimin e kontratave, vetëm këtë vit komunave iu kanë marrë deri më tani mbi 62 milionë euro, vetëm këtë vit, kjo është gjakderdhje financiare”, ka deklaruar Ibrahimi në RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se refuzimi i kësaj kërkese, si nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ashtu edhe nga Kuvendi, është një shembull i papërgjegjshmërisë së nivelit qendror ndaj sfidave që përballen komunat e vendit.

“Ne kemi kërkuar që niveli qëndro ta parandalojë më këtë gjakderdhje financiare duke paraparë një vijë buxhetore për mbulimin e kostos financiare për kontrata kolektive, kjo nuk po ndodhë. Kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhur jo vetëm për këtë por edhe për sfidat tjera”, ka deklaruar Ibrahimi.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim.

Më 11 nëntor, deputetët e kishin miratuar në lexim të parë këtë projektligj.

Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky buxhet do sigurojë stabilitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.

Ndërkaq, partitë opozitare e kanë cilësuar “buxhet për mbijetesë”.

Për këtë arsye tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thanë më herët se nuk do ta votojnë projektbuxhetin dhe kanë braktisur seancën.

Gjatë seancës plenare, megjithatë disa deputetë të PDK-së u kthyen dhe paraqitën për votim amendamente të propozuara nga ta.