Dy të lënduar nga gjuajtjet me armë zjarri në Prishtinë

Dy persona janë lënduar si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtja me armë zjarri që ndodhi pasditen e sotme në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Zeri.info, se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, përderisa nuk ka treguar për të arrestuar për këtë incident.

“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka treguar Borovci.

Ai ka thënë se, Policia është duke punuar në kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave.

“Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, ka thënë Borovci. /Zëri