Oligarku ukrainas në mesin e të sanksionuarve nga Britania

Miliarderi ukrainas, Dmytro Firtash, është në mesin e tetë personave që u shënjestruan nga sanksionet e reja britanike, që e akuzojnë këtë grup, ku përfshihet edhe gruaja e Firtashit, Lada, për korrupsion në shkallë të gjerë dhe ndërkombëtar.

Miliarderja angoleze-ruse, Isabel dos Santos dhe politikani e biznesmeni leton, Aivars Lembergs, janë po ashtu në mesin e personave që u sanksionuan më 21 nëntor.

Qeveria britanike e akuzon oligarkun Firtash se u ka dhënë ryshfet zyrtarëve për të siguruar licenca për mihje për kompaninë e tij dhe ka përfituar paligjshëm nga sistemi ukrainas për transportimin e gazit.

Firtash po ashtu është i lidhur me financierin, Denys Horbunenko, banor i Mbretërisë së Bashkuar, po ashtu u fut në listën e sanksioneve, pasi vlerësohet se është bashkëpunëtor i Firtashit.

Firtash është përballur me ligjin edhe në Ukrainë për shkak të akuzave për përvetësim dhe pastrim parash, për përfshirje në skema mashtruese të tregtisë së gazit.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e tij nga Austria nën akuza se u ka dhënë ryshfet zyrtarëve nga India.

Firtash, që u bë i njohur në vitin 2000 përmes sipërmarrjes së përbashkët RosUkrEnergo me gjigantin rus të energjisë, Gazprom, ka mohuar akuzat se punon për interesat e Rusisë.

Dos Santos, vajza e ish-presidentit të Angolës, Jose Eduardo dos Santos, është gruaja e parë miliardere e Afrikës. Ajo akuzohet për korrupsion në Angolë, ku ajo pretendohet se ajo ka përdorur lidhjet e saj politike për përfitime personale.

Dos Santos pretendon se ka pasur shtetësi ruse që nga lindja, pasi ajo ka lindur në Baku të Azerbajxhanit më 1973, kur shteti ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Lembergs, ish-kryetari i qytetit letonez Ventspils, është dënuar në Letoni për korrupsion me pesë vjet burgim. Ai ka pretenduar se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Sanksionet janë pjesë e përpjekjeve britanike për të luftuar korrupsionin ndërkombëtar dhe për të penguar rrjetet financiare të individëve të akuzuar për abuzim pushteti për përfitim personal.

Sanksionet përfshijnë ngritjen e aseteve, ndalesa për udhëtime dhe që të sanksionuarit të kenë qasje në sistemin financiar britanik apo që të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar. /euronews