Osmani: Ndihma e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës.

“Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka theksuar Osmani, njofton zyra për informim e Presidencës.

Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it, përfshirë investimin prej mbi 1 miliard dollarësh në fushat ndryshme  për progresin e Kosovës.

Gjithashtu bëhet e ditur se Osmani ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të  mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t`i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.