Reagon AGK-ja: Pengohet ekipi i “Kanal 10” në një shkollë në Fushë-Kosovë

Një ekip i televizionit “Kanal 10”, i përbërë nga gazetari Naim Kryeziu dhe kameramani Fatos Rakovica, janë penguar në kryerjen e detyrës së raportimit nga drejtori i shkollës “Bajram Curri” në Fushë-Kosovë, Fidan Hasani.

AGK-ja, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ndër të tjera thuhet se gazetari Kryeziu dhe kameramani Rakovica u penguan fizikisht dhe verbalisht nga drejtori i shkollës, gjatë tentimit për të raportuar lidhur me mungesën e ngrohjes në këtë institucion arsimor.

“Pengimi i punës së gazetarëve, veçanërisht kur ata janë duke trajtuar tema me interes publik, përbën shkelje serioze të lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Sjelljet e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet demokratike dhe vlerat që duhen të respektohen nga zyrtarët publikë”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve të institucioneve publike të jenë bashkëpunues dhe të respektojnë punën e gazetarëve.