Haradinaj: Presidentja duhet t’i kërkojë falje Kosovës pse e ka sjellë Kurtin në pushtet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani t’i kërkojë falje Kosovës, e cila, sipas tij, me koalicionin që e ka pasur e ka sjellë Albin Kurtin kryeministër.

Haradinaj tha se edhe presidentja është pjesë e zhvillimeve të dëmshme për vendin.

“Nëse presidentja beson në atë që ka thënë, ne që katër vjet i bëjmë thirrje presidentes t’i thërrasë vetëdijes, ndërgjegjes dhe me i tregu qytetarëve se zhvillimet nuk janë mirë në vend nga kryetari. Ma mirë vonë se kurrë, por ka ndodh shumë zhvillime të dëmshme për vendin. Ka ndodh shumë bixhoz dhe pabesi ndaj Kosovës pikërisht nga ky koalicion, nga kjo shumicë të cilës i ka takuar edhe presidentja Osmani. Për këtë arsye ne sot nuk ishim në seancë. Ajo duhet t’i kërkojë falje Kosovës se pse e ka krijuar një shumicë të këtillë, pse e ka sjellë Kurtin në pushtet dhe e ka mbajte gjithë këto vite’’, tha Haradinaj për RTV21.