Isa Mustafa: Edhe vetë Vjosa Osmani ishte pjesë e diskursit përçarës me aleatët

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka quajtur të vonuara vërejtjet e presidentes Vjosa Osmani ndaj Qeverisë në fjalimin e saj vjetor.

Sipas tij, edhe presidentja Osmani e ka përkrahur diskursin përçarës të Qeverisë me aleatët e Kosovës.

“Unë mendoj se janë vërejtje shumë të vonshme të presidentes, sepse ajo këto po i thotë në fund të mandatit të kësaj qeverie, nuk i ka thënë asnjëherë deri më tani në tri fjalimet e saj që ka pasur në Kuvend dhe në këtë shumicë parlamentare. Unë mendoj se edhe vetë presidentja është aktere ose pjesëmarrëse e gjithë këtyre që kanë ndodhur nga ndërkombëtarët, sepse edhe ajo deri më tani e ka përkrahur këtë kurs të Qeverisë. E ka përkrahur tezën e sovranizmit që ne jemi shtet sovran dhe nuk mundet askush të përzihet këtu. Bile ka pasur vërejtje edhe në raport me SHBA-në në një periudhë. Mirëpo, mirë që është vetëdijesuar në fund, por jo që është vetëdijesuar në fund, nuk do të thotë se tani i kthen të gjitha ato humbje dhe të gjithë atë dëm që e ka pësuar vendi ynë prej atij kursi të shumicës parlamentare, pjesë e së cilës ka qenë edhe presidentja”. /RTV21