Pos Kosovës, edhe Suedia do ta apelojë vendimin e UEFA-s për tri pikët ndaj Rumanisë

Ndeshja e 15 nëntorit mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht dje mori epilog preliminar nga UEFA.

Vendimi i këtij organi tha se me faktin që Kosova e ka braktisur lojën pa përfunduar zyrtarisht, tri pikët do t’i takojnë Rumanisë.

Për këtë vendim FFK-ja ka njoftuar se do të dërgojë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës.

Por, pos Kosovës, ankesë në këtë adresë do të dërgojë edhe Suedia për po të njëjtin vendim të UEFA-s.

Mediat në këtë vend kanë njoftuar se Federata e Stokholmit është gati të ndërmarrë veprim dhe të kontestojë fitoren e Rumanisë “në tavolinën e gjelbër”.

“Federata Suedeze e Futbollit po mendon të apelojë”, shkruan fotbollskanalen.se, e cila ka cituar edhe deklaratën e menaxherit të kombëtares suedeze, Stefan Pettersson, para njoftimit të organit drejtues të futbollit në “Kontinentin e Vjetër”: “Nëse ndodh që UEFA t’i japë Rumanisë një fitore 3-0, sigurisht që do të shohim se çfarë mund të bëjmë”.

“UEFA njoftoi se ia jep Rumanisë fitoren 3-0. Kjo mund të ketë pasoja për shanset e Suedisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës”, shkroi gjithashtu dn.se.

Pse janë të indinjuar suedezët?

Pas suksesit ndaj Kosovës, “Trikolorët” (siç njihet ndryshe kombëtarja rumune) u ngjitën në renditjen e fituesve të grupeve në Ligën e Kombeve, hierarki kjo që mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përpjekjen e Rumanisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2026.

Katër fituesit me më së shumti pikë të grupeve në Ligën e Kombeve kanë siguruar vendet në play-off për Kupën e Botës.

Natyrisht, katër më të mirat janë ato të Ligës A (Spanja, Gjermania, Portugalia dhe Franca), por shanset që këto skuadra të mos kualifikohen drejtpërdrejt ose të paktën në play-off në kualifikueset klasike janë të pakta, ndaj nuk do të zënë vendet e play-off-it të rezervuara për skuadrat në Ligën e Kombeve.

Pozicionet do t’u transferoheshin skuadrave të Ligës B, përkatësisht Anglisë, Norvegjisë, Uellsit dhe Çekisë. Pas fitores 3-0 ndaj Kosovës, Rumania tani është fituesja me më së shumti pikë e grupit në Ligën C, duke zënë vendin e Suedisë.

Para vendimit të UEFA-s, Suedia ishte në pozicionin e Rumanisë. /klankosova