Asnjë gjurmë nga australiani i zhdukur në Valbonë, vëllai niset për ta gjetur

Një shtetas australian, i identifikuar si Cameron Twiss, rezulton prej rreth 6 javësh i zhdukur në Shqipëri.

Daily Mail ia ka kushtuar një artikull zhdukjes së 28-vjeçarit nga Adelaide, i cili po kërkohet nga autoritetet shqiptare, ndërsa vëllai i Twissit është nisur nga Australia për në Shqipëri, për të ndihmuar policinë në gjetjen e të riut.

“Ai ishte nisur në një shteg të njohur ecjeje që lidh Valbonën me Tethin më datë 13 tetor. Udhëtimi 10 orësh që ndjek një rrugë 17 km përfshin një kalim malor përmes një zone të largët të Alpeve Shqiptare ku nuk ka rrugë. Rekomandohet të ecësh me një udhërrëfyes lokal, por Twissi ishte duke udhëtuar i vetëm”.

“Shërbimi i Kërkimit të Shpëtimit Malor të Kosovës dhe Shërbimi i Kërkimit të Shpëtimit Malor të Shqipërisë kanë kryer një kërkim në këmbë dhe me dron. Përditësimi i fundit i disponueshëm publikisht ishte më 2 nëntor, i cili tha se kërkimi ishte pezulluar në pritje të informacioneve të mëtejshme”, shkruan ndër të tjera Daily Mail.