Limaj prezanton Endrit Shalën si kandidat për deputet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka njoftuar se bashkëpunëtori i tij i vjetër, Endrit Shala, do të jetë pjesë e listës për deputetë për zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit.
Limaj tha se Endriti ka qenë shtylla e palëkundur e Nismës Socialdemokrate që nga fillimet e saj.
“Përgjatë viteve ai ka dëshmuar se është më shumë se një politikan – ai mbi të gjitha është një mik, një bashkëpunëtor i besueshëm dhe një përfaqësues i denjë i interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha mes të tjerash Limaj.
Tutje, ai tha se si ish-ministër, deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të Nismës, Endriti ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm, integritet të lartë dhe guxim të pakompromis në mbrojtjen e interesave të popullit dhe të shtetit.
“Për vite me radhë, kemi punuar krah për krah, duke ndarë sfidat më të mëdha dhe duke ndërtuar së bashku një vizion për një Kosovë më të drejtë, më të fuqishme dhe më të zhvilluar”.
“Endriti është simbol i ndershmërisë dhe besnikërisë – jo vetëm ndaj partisë sonë, por edhe ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ai ka qenë zëri i fortë i Nismës në Kuvend dhe tani është koha që ai të rikthehet, për të qenë ai zë që i mungon Parlamentit”, tha Limaj.
Kreu i Nismës tha se është krenar që Endrit Shala “përfaqëson Nismën dhe qytetarët e Kosovës. Jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për ju dhe një përfaqësues i denjë i besimit tuaj”.