Nëna e 14-vjeçarit të vrarë në Tiranë me mesazh prekës: Ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja

Nëna e Martinit 14-vjeçar, i cili u vra pranë shkollës së tij tri ditë më parë në Tiranë, ka dërguar një mesazh në protestën e organizuar pas vrasjes së tij.

Në mesazhin e saj nëna shpreh pikëllimin për humbjen e djalit të saj të mitur dhe falënderon protestuesit e shqiptarët për mbështetjen në këto momente të vështira.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë një boshllëk të madh që nuk do të mbushet kurrë. Falënderoj gjithë popullin shqiptar anembanë dhe FSHF, për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. Nuk di sa mirënjohëse mund të them që jam për ato që iu gjendën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë! Ia morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos u sprovoftë me dhimbje të tilla. Respekte Florina dhe Angel Cani”.