Osmani: Drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA-në, jo me Lajçakun e ata që s’besojnë në pavarësinë e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka folur edhe për dialogun Kosovë - Serbi nën udhëheqjen e BE-së, për çka tha se ka qenë i pabalancuar, ka bërë trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe akomodim të vazhdueshëm të Serbisë.

“Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtet duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetëreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë”, tha Osmani.

E para e vendit foli edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa tha se ka propozuar që drafti i tij të diskutohet me SHBA-në, në mënyrë që kjo çështje të mos u lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovë, transmeton Zeri.info.

“Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-në, në mënyrë që kjo çështje të mos u lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të Asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draftstatut ku mbrohet Kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vetë ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, tha Osmani.

“Fatkeqësisht ky propozim imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj-lloj shpifjesh deri te shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodh edhe këto ditë, me lloj-lloj shpifjesh të ulëta se kinse presidentja po kërkon ‘nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes’. Kjo është gënjeshtër. Ajo çfarë kam thënë është që 1/ zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”, tha Osmani. /Zëri