Osmani mohon të ketë deklaruar për zbatim të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë: Është gënjeshtër

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka quajtur gënjeshtra raportimet se ajo ka propozuar zbatim të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë.

Osmani në adresimin e Kuvendit tha se zbatim i marrëveshjes ka kuptim nëse zbatohet nga të dyja palët dhe nëse njëra tërhiqet, sipas së drejtës ndërkombëtare, tjetra nuk ka obligim ta zbatojë, raporton Zeri.info.

“Kjo është gënjeshtër, ajo çfarë kam thënë është e qartë; Zbatimi i marrëveshjes ka kuptim nëse zbatohet nga të dyja palët dhe nëse njëra tërhiqet, sipas të drejtës ndërkombëtare, tjetra nuk ka obligim ta zbatojë. Si alternativë, si presidente e vendit besoj dhe nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, gjë që jam e bindur se edhe nëse nënshkruhet nuk do ta zbatojë, siç ka bërë me mbi 40 marrëveshjet të tjera që i ka nënshkruar dhe nuk i kanë zbatuar, atëherë besoj se do duhej të diskutonim me aleatët tanë zbatimin e pjesës sonë, vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare të nënshkruara që përfshinë anëtarësim në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare, garanci të sigurisë nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale dhe mbështetje për njohje të reja”, tha Osmani.

E para e vendit shtoi se më shumë se nënshkrimi i presidentes së Serbisë, ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës. /Zëri