Prokuroria kërkon që të akuzuarit për terrorizëm t’i sekuestrohen paratë

Në fjalën përfundimtare ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Nehrudin Skenderi prokurori special, Bekim Kodraliu kërkoi që të njëjtit t’i sekuestrohen paratë që pretendohet se me to ka ndihmuar për kryerjen e veprës penale, ndërsa mbrojtësit e të pandehurit Skenderi, avokati Toma Gashi dhe Syl Hoxha thanë se këto mjete janë të ligjshme dhe ato nuk janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në këtë rast përveç Skenderit të akuzuar për terrorizëm kanë qenë edhe Ardijan Gjurajni, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa, të cilët më 30 janar 2024 nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë dënuar të gjithë së bashku me 30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, më 02.07.2024, Gjykata e Apelit kishte aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për terrorizëm, me anë të së cilës ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë vetëm sa i përket çështjes se konfiskimit të mjeteve monetare ndaj të akuzuarit Nehrudin Skënderi dhe për këtë pjesë çështja penale është rikthyer në rigjykim dhe vendosje.

Ndërkaq, për pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, përkundër faktit se është ankimuar si nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve ashtu edhe nga ana e Prokurorisë, i njëjti aktgjykim nga Gjykata e Apelit është vërtetuar.

Paraprakisht, në seancën e sotme, me propozimin e avokatit Gashi, gjykata administroi provat materiale, vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve prej 29 mijë e 480 euro, certifikata mbi dorëzimin dhe kthimin e mjeteve, urdhëresa për kthimin e sendeve, aktvendimi për zëvendësimin e paraburgimit me atë të dorëzanisë dhe vërtetimi për sekuestrimin e sendeve.

Sipas avokatit Gashi, me këto vendime që janë nxjerrë nga gjykata dhe prokuroria legjitimohet se i akuzuari Skenderi parat nuk i ka përdorur për kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas administrimit u dha fjala përfundimtare, ku prokuror Kodraliu tha se deklarata e dëshmitarëve që janë dëgjuar, sipas tij, janë tërësisht kontradiktore dhe se nuk provohet përmes dokumenteve pretendimet e tyre sikurse që kanë dhënë dëshminë.

Ndërkaq, prokurori Kodraliu tha se në tërësi provat materiale dhe personale dëshmojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se parat e sekuestruar në ditën e arrestimit janë pasuri e të akuzuarit Skenderi dhe se të njëjtit i ka përdorur për kryerje të veprës penale.

Këto pretendime të prokurorit gjatë dhënies së fjalës përfundimtare i kundërshtoj avokati Gashi duke thënë se si ka pas mundësi që parat e sekuestruara të përdoren për ndihmë në terrorizëm kur të njëjtat janë gjetur në çizme dhe shtrat të prindërve të të akuzuarit Skenderi.

Tutje, avokati Gashi tha se vet Prokuroria Speciale po që se do të gjendet se para e gjetura ishin të kundërligjshme do të ia konfiskonte direkt ato para prindërve të të akuzuarit Skednderi.

Prandaj, sipas Gashit, fakti se vet prokuroria ka nxjerr shkresë për kthimin e mjeteve monetare del se parat nuk janë për pretenduar të përdoren për qëllime kriminale.

Me këtë, seanca e sotme përfundoi, ndërsa seanca e shpalljes së aktgjykimit për këtë rast u caktua për një datë tjetër.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi të cilët akuzohen se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Skenderi në dispozitivin e katër të akuzës akuzohej se më 1 tetor 2021, në restorantin e Pompës së karburanteve “Shell V-Poëer”, në magjistralen Prizren-Suharekë, në mënyrë të drejtpërdrejt ia ka dorëzuar shumën prej 2 mijë euro të pandehurit Krasniqi në emër të blerjes së armeve të zjarrta siç janë 1 RPG raketahedhës, 8 predha RGP dhe 1 palë dylbi me qëllim që së bashku me të pandehurit Gjuraj, Syla e Bellaqa të kryejn akte terroriste në Kosovë.