Policia patrullon me vetura inteligjente për sigurinë në trafik në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka nisur patrullime me vetura inteligjente, ku në fokus ka sigurinë e trafikut rrugor.

Në një njoftim nga Policia thuhet se në kuadër të aktiviteteve të rregullta në ofrimin e sigurisë në trafik, identifikimin e kundërvajtësve, si dhe parandalimin e aksidenteve, ka ndërmarrë veprime policore, ndër të cilat edhe përdorimin e automjeteve inteligjente, të cilat ndihmojnë në identifikimin më të lehtë të kundërvajtësve. Automjetet inteligjente mundësojnë që edhe gjatë patrullimit - lëvizjes, përveç tejkalimit të shpejtësisë, të identifikojnë edhe kundërvajtje të tjera të ndryshme.

“Njësitë policore në katër komunat veriore janë përkujdesur në lirimin e hapësirave publike (rrugë dhe trotuare) nga parkingjet e parregullta, me qëllim mundësimin e lirë dhe të papenguar të automjeteve dhe këmbësorëve”.

“Gjithashtu Policia është përkujdesur në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë pranë shkollave, me qëllim që nxënësit të jenë më të sigurt gjatë shkuarjes dhe kthimit nga shkolla”.

“Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri apelon te të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të respektojnë në vazhdimësi rregullat në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri