Kosova, në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror

Kombëtarja e Kosovës pritet të jetë në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ka përfunduar faza e grupeve në Ligën e Kombeve, ndërsa vëmendja është kthyer te kualifikueset e Kampionatit Botëror që nisin marsin e vitit 2025.

Shorti i kualifikimeve të kombëtareve do të mbahet më 13 dhjetor, nga ora 12:00 në Cyrih të Zvicrës, ku do të jenë 12 grupe me nga katër ose pesë skuadra.

Ekipet do të luajnë me njëri-tjetrin në shtëpi dhe jashtë. Ekipet e tërhequra në grupe me pesë do të fillojnë kualifikimet në mars dhe skuadrat e tërhequra në grupe nga katër do të fillojnë ndeshjet tyre në shtator. Të gjitha grupet përfundojnë në nëntor 2025.

 

 

Por, si qëndrojnë ekipet në vazo dhe ku gjendet Kosova dhe Shqipëria?

Kosova gjendet në vazon e katërt, Shqipëria në të tretën dhe kështu të dy ekipet kombëtare mund të bien në grupin e njëjtë.

Në vazon e parë nuk mungojnë kombëtaret e mëdha si Spanja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe Holanda, teksa në vazon e dytë gjenden kombëtare si Turqia, Polonia, Çekia, Norvegjia dhe Suedia.

Vazot e shortit për kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2026:

Vazo 1: Spanja, Portugalia, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia, Anglia, Belgjika, Zvicra, Austria

Vazo 2: Ukraina, Turqia, Suedia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Çekia, Norvegjia

Vazo 3: Skocia, Sllovenia, Irlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Izraeli

Vazo 4: Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Kosova, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qiproja, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania

Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni, San Marino.