“Gruaja e djali 15 vjeç janë në shok, shteti ma vrau vëllain”, rrëfimi me lot i vëllait të taksistit që u aksidentua për vdekje nga policia
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Adem Llausha, ka ndërruar jetë të dielën (17 nëntor), pas plagëve të marra gjatë aksidentit të 5 nëntorit, ku vetura në të cilën ishte ai është goditur për vdekje nga një veturë e Policisë së Kosovës.
Vëllai i ish-ushtarit të UÇK-së, Fehmi Llausha, ka dhënë detaje nga aksidenti.
Ai për Klan Kosova ka thënë se polici i cili e ka goditur veturën e vëllait të tij ka qenë në shpejtësi marramendëse.
“Me 5 nëntor në ora 4.20 të mëngjesit ka ndodhur një aksident afër Aleancës të Ardhmërisë së Kosovës, ka qenë duke kaluar, ka ardhur një automjet i Policisë i ka ra edhe e ka qit krejt jashtë prej kerrit. Ai ishte në makinën e tij, do me thënë e ka hedh prej makinës krejt. Afër 20 metra jashtë automjetit ka dal. Ka pasur kafkën e thyer, mushkëritë, brinjët, palcën kurrizore. Ka pasur shumë dëmtime. Edhe ka ndejt gati për nja dy javë në gjendje kome. Një njeri i gjatë dy metra, afër 150 kilogramë, paramendoni çfarë shpejtësie ka mundur të jetë që ta qet njerin prej kerrit. Edhe aty deri në 150 kilometra në orë ka qenë automjeti i policisë. Se me pas qenë 60-70 në orë, ai nuk i kish pas ato dëmtime, por ka qenë jashtëzakonisht shpejtësi e madhe. Edhe kanë qenë vijat ku ata s’kanë frenu fare edhe nuk ka pas alarm, nuk ka pas rrotacion, do me thënë nuk ka qenë diçka rast urgjent që Policia ka pas në atë moment që Policia me shpjetu diçka. Jo nuk kemi marrë kurrfarë versioni vetëm ditën e parë kur ka ndodhur aksidenti, ata na kanë kërku dikush prej kolegëve të tij të Policisë po dojmë me ardhë me kërku falje edhe ma kërkush nuk u marrë me këtë rast. Edhe as Policia e as Prokuroria ma nuk u marrë me këtë rast, ky ka vdek më 17 nëntor, varrimin e kemi bërë dje me 18 nëntor. Kanë çu fjalë me disa koleg të tij që kinse me ardh në varrim por ne si familje nuk kemi mundur ta pranojmë, për shkak se dy javë ditë kërkush nuk u lajmëru për këtë rast”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Adem Llausha, ka qenë kontribuues i madh i çështjes kombëtare dhe gjithnjë ka dashur që të jetoj në Kosovë, por siç u shpreh Fehmi Llausha, asnjëherë dhe askush nuk do ta kishte menduar si ai do të vdek në këtë mënyrë.
Fehmi Llausha ka thënë se do të kërkojnë drejtësi për Ademin.
“Adem Llausha, është vëllai i im, ish-ushtar i UÇK-së. Në vitin 1998 e ka vesh uniformën e UÇK-së edhe ka ardhë në luftë edhe mas luftës prapë u kthy në Gjermani. 2-3 muajt e fundit ka punuar taksi te një koleg i vet, dhe fatkeqësisht e pat aksidentin. Ka qenë kontribuues i madh për çështjen kombëtare. E njohin krejt kush ka qenë Adem Llalusha, krejt çfarë kontributin e ka dhënë. Ka qenë i flaktë., dëshira e tij ka qenë gjithnjë që në Kosovë të jetoj deri sa të vdes, por fatkeqësisht i erdh një vdekje katastrofale që askush nuk e ka pritur. Një vdekje midis qyteti. Në luftë shpëtoi, e në liri vdiq..... ne si familje nuk kërkojmë asgjë përveç drejtësi, kemi me e çu deri në fund drejtësinë sepse ne nuk kemi vëlla me humb, nuk na humb gjaku jonë, ne duam drejtësi. Drejtësia nënkupton për mua, drejtësi për vëllain tim, realiteti si ka qenë, pse, qysh ka ardhur deri te aksidenti. Po duam ta dimë ne si familje. Ditën e parë që është publikuar në media ka qenë lajmi se kinse taksisti ka qenë fajtor, por është krejt e kundërta. Ne ftojmë prokurorin e shtetit që të bëjë super ekspertizë dhe kamerat e qytetit ku janë t’i marrin incizimet e deri të del realiteti”, u shpreh ai.
Llausha ka treguar se vëllai i tij, Ademi, ka lënë pas vetes gruan dhe djalin 15-vjeçar, të cilët siç u shpreh ai, janë në gjendje shoku.
“E ka djalin 15 vjeç, edhe gruan. Edhe gruan edhe djalin i ka në shok. Jemi duke i mbajt me medikamente, se aq të traumatizum jemi na edhe gruaja edhe djali”, u shpreh Fehmi Llausha.
Për më shumë, ndiqeni rrëfimin e tij në videon e mëposhtme: