“Bash mbesë e kam, asgjë s’ka ndikuar ajo”, flet daja i Fitore Pacollit që fitoi grant nga Ministria e Bujqësisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli, dyshohet se është e përfshirë edhe në një skandal tjetër me ndarjen e granteve.

Pak muaj pasi ia kishte ndarë 100 mijë euro vëllait të saj Blerimit, ajo dyshohet se ia kishte ndarë 100 mijë euro edhe dajës së saj, Sylejman Islamit

Kështu të paktën pretendon sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të LDK-së, Egzon Pacolli

Ai denoncimin e këtij skandali e bëri përmes një videoje në rrjetin social Facebook.

Për këtë ka reaguar fituesi i grantit, Sulejman Islami ku ka dhënë deklaratë për FrontOnline.

Islami, e pranon se e ka mbesë deputeten e VV-së, Fitore Pacollin, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë se ka marr 60 mijë euro nga MBPZHR-ja derisa 30 mijë euro do investoj vetë.

“Jo 100 mijë euro por 60 mijë euro Ministria, e 30 mijë e diçka investojë vetë”, thotë ai.

Ai, thotë se kjo nuk ka asgjë të bëjë me Fitore Pacollin, të cilën e ka mbesë, por thotë se nuk ka ndikuar.

“S’ka lidhje kurrgjë Fitore Pacolli me mua, bash mesë e kam. Asgjë s’ka ndikuar ajo”, potencon ai.

Islami, e përmend edhe një rast se si kishte kërkuar ndihmë nga mbesa e tij, Fitore Pacolli, kur këtij të fundit iu ishte rrëzuar pompa AL Petrol në Lagjen Arbëria, në Prishtinë, kur pompa e derivateve kishte qenë siç thotë ai në tokën e tij.

“Kur mu ka dashtë mua Fitore Pacolli mëma ndihmuar, është dashtë kur ma kanë rrëzuar pompën Vetëvendosja AL Petrol në lagjen Arbëria, ka qenë në tokën time, atë herë ja ka vlejnë me ma shpëtua tokën dikush, e tash për grant si kam thënë askujt s’jam mërzit për këtë. Atëherë ka pas mundësi mëme ndihmuar po si ka hy asaj pune”, thotë ai.

Islami, potencon se granti që ka fituar është i destinuar për arra dhe lajthia dhe se për këtë grant ka konkurruar që tri here.

“Granti është i destinuar për arra dhe lajthia. Unë moti kam konkurruar, është e treta herë tash e mora grantin”, u shpreh.