AKP-ja miraton transferimin e dy pronave për depo qendrore të barnave për Ministrinë e Shëndetësisë
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) njofton se ka marrë vendim për dhënien e pëlqimit për bartjen e dy pronave të ndërmarrjes shoqërore “Jedinstvo” për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë, për përdorim si depo qendrore të barnave.
“Ky vendim është në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpronësim të datës 24 korrik 2024”, thuhet në komunikatë.
Gjatë mbledhjes, Bordi i AKP-së aprovoi Raportin e Komisionit Vlerësues të menaxhmentit të AKP-së, i cili paraqiti progresin gjatë periudhës së tremujorit të tretë të vitit 2024. Po ashtu, u miratuan listat përfundimtare të punëtorëve që do të përfitojnë 20%-in e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi i 10 ndërmarrjeve shoqërore ose aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, përkatësisht: NSH “Peko” Mitrovicë; NSH KB “Novobrda” Gjilan; NSH KB “Baran” Pejë; NSH KB “Bujku” Prishtinë; NSH “Përparimi” Prishtinë; NSH “Enti për Përparimin e Amvisërisë” Prishtinë; NSH “Centrotekstil” Prishtinë; NSH “Stacioni i Veterinarisë” Gjakovë dhe NSH “Shipad” Prishtinë.
Gjithashtu, Bordi shqyrtoi dhe miratoi Raportet rekomanduese të Divizionit të Shitjes Direkte, ku u miratuan 20 raste që plotësojnë kriteret për trajtim sipas procedurës së shitjes dhe u refuzuan 13 raste të tjera.
Në përfundim, u diskutuan edhe çështje të tjera të rëndësishme lidhur me privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore, bazuar në prezantimet nga menaxhmenti i AKP-së.