Kurti dhe Çeku vizitojnë rezidencën e presidentit Rugova: Ndërhyrjet restauruese, drejt përfundimit
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan sot rezidencën e presidentit Ibrahim Rugova, për të parë nga afër punimet që po bëhen drejt finalizimit të ndërhyrjeve restauruese.
Në komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se aty ata u mirëpritën nga familja Rugova, të cilët u shprehën mirënjohës për kujdesin institucional dhe rezultatin e punës së bërë deri më tani.
“Rezidenca e presidentit historik Ibrahim Rugova do të vazhdojë të ruajë kujtesën mbi njërën ndër periudhat më të rëndësishme të popullit tonë", u shpreh kryeministri.
Ai falënderoi znj. Rugova dhe familjen Rugova për bashkëpunimin dhe qëndresën.
“Kryeministri tha se jemi të interesuar të shkojë gjithmonë mirë dhe të dalë gjithçka sa më bukur dhe objekti i rezidencës të jetë sa më reprezentativ për vizitorët, të cilët këtu edhe ndihen këndshëm dhe kanë shumëçka të mësojnë”.
“Restaurimi po udhëhiqet nga ekipe profesionale në respekt të vlerave që ka kjo shtëpi, e cila është pjesë e listës së aseteve të trashëgimisë që mbrohen me ligj”, thuhet në komunikatë. /Zëri